Kriza ekonomike shtyn shpresat e anëtarësimit në BE
Me ekonomitë e tyre në rënie dhe sistemet financiare nën presion më shumë se kurrë në historinë e Bashkimit Evropian, krerët e bllokut përballen me çështje më urgjente se anëtarësimi i shteteve të reja.
Kjo është pamja e gjërave në disa nga vendet më të vjetra dhe më të zhvilluara të BE, ku publiku është ende duke u përshtatur me zgjerimin e shpejtë të Bashkimit nga 15 në 27 anëtarë nga 2004 në 2007.
Megjithatë, 2009 mund të rezultojë një vit me surpriza. Deri në dhjetor, BE mund të përfundojë bisedimet e anëtarësimit me një vend (Kroacinë) tjetër, një tjetër (Turqia) në progres, një i tretë (Maqedonia) në përgatitje të fillojë bisedimet e anëtarësimit, dhe pesë të tjerë (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Islanda, Mali i Zi dhe Serbia) do të kenë dorëzuar kërkesat e anëtarësimit.
Kjo s’do të thotë se BE do të kthehet papritmas në një klub 35 anëtarësh. “Ata që thonë se, po nxitojmë të zgjerohemi, nuk dinë çfarë flasin”, - thotë një zyrtar i përfshirë në strategjinë e zgjerimit.
Prej tetë shteteve në fjalë, vetëm Kroacia dhe Islanda kanë shanse të anëtarësohen në 2011 më e shpejta - por edhe ato kanë pengesa. Për të tjerët është thuajse e pamundur të parashikosh një datë anëtarësimi. Por duke njohur preferencën e BE që t’i pranojë anëtarët e rinj në grup dhe jo një nga një, mund të hamendësohet se Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia mund të anëtarësohen bashkë diku mes 2015 dhe 2020. Ndërsa për Turqinë askush nuk mund të japë një përgjigje të besueshme.
Megjithatë, fillimisht ka shumë çështje që duhen sqaruar. Kërkesa e Kroacisë për anëtarësim është në vështirësi serioze për shkak të mosmarrëveshjes me Slloveninë. Në dhjetor qeveria sllovene kundërshtoi 26 partnerët e BE dhe Komisionin Evropian dhe bllokoi fillimin e bisedimeve për 9 kapitujt nga 35, që Kroacia duhet të kompletojë para anëtarësimit.
I alarmuar nga retorika nacionaliste mes Kroacisë dhe Sllovenisë, Brukseli thotë se mosmarrëveshja është kthyer nga “çështje bilaterale në problem evropian”. Brukseli ndihmon për krijimin e një grupi ekspertësh, mundësisht të drejtuar nga Martti Ahtisaari, që do të përgatitë rekomandime për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kufirin, ndërsa lejon vazhdimin e bisedimeve të Kroacisë për anëtarësim.
Reagimi i Lubjanës është i kujdesshëm. “Mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. Mund të çojë drejt progresit”, - thotë Samuel Zbogar, ministri i Jashtëm slloven, në një intervistë për “Financial Times”. Megjithatë, duke nënkuptuar shqetësimin në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe zbatimin e ligjit në Kroaci, ai shton: “Disa kapituj nuk janë ende gati për t’u hapur, sidomos drejtësia dhe çështjet e brendshme.”
Ivo Sanader, kryeministri Kroacisë, lavdërohet në Bruksel që ka nisur një operacion të fortë kundër krimit të organizuar që nga tetori, kur vajza e një avokati të njohur u vra në Zagreb dhe një botues gazete u vra me bombë së bashku me menaxherët e tij në mes të qytetit.
Në vendet e tjera të Ballkanit, pengesa kryesore e anëtarësimit të tyre është paaftësia e autoriteteve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mes qeverive euro-perëndimore, madje edhe në Bruksel, pëshpëritet rëndom që BE duhet t’i kishte bërë më shumë presion Bullgarisë dhe Rumanisë për këto çështje, para se të anëtarësoheshin në 2007. Krerët e BE e kanë të qartë se, pasi një vend anëtarësohet me të drejta të barabarta, është e vështirë t’u japësh leksione qeverive për sjelljen e tyre.
Mes institucioneve të brishta të Ballkanit bën përjashtim Serbia, e cila shihet në Bruksel si goxha e përparuar, ngaqë ka qenë qendra e ish-Jugosllavisë. Por shpresat e Beogradit janë të mjegullta për shkak të paaftësisë ose mosdëshirës për të arrestuar Ratko Mlladiçin, të dyshuarin për krime lufte në Bosnjë. Derisa ai të arrestohet, nuk ndihet nëse Serge Brammertz, kryeprokurori i Hagës, do të deklarojë apo jo që Serbia po bashkëpunon tërësisht me gjykatën. Kjo i lejon Holandës, kundër dëshirës së shumicës së vendeve të BE, të bllokojë ambiciet evropiane të Serbisë.
Në anën tjetër të Evropës, Islanda, ende duke u rikuperuar nga kriza ekonomike, nuk ka aplikuar për anëtarësim dhe nuk do të aplikojë para zgjedhjeve elektorale në prill ose maj dhe një referendumi për të aplikuar apo jo.
Shumica politikë-bërësve në Bruksel - veçanërisht ata me perspektivë nordike, si Olli Rehn, komisioneri për Zgjerimin e BE, finlandez - Islanda është e mirëpritur. Hyrja e Islandës dhe Kroacisë do të bëhej bashkë për të thjeshtuar ratifikimin e 27 vendeve anëtare.
Por anëtarësimi i grupit pasues nuk do të jetë i lehtë. Duket e pabesueshme që Maqedonia mund të anëtarësohet, po qe se nuk arrin marrëveshje me Greqinë në lidhje me emrin e saj zyrtar. Bosnja, e ndarë mes kroato-myslimanëve dhe serbëve, thuajse nuk funksionon si shtet i vetëm. Bisedimet e Turqisë mund të hyjnë në krizë nga fundi i vitit, nëse nuk zgjidhet çështja e Qipros. Situata është ndërlikuar pas refuzimit të Irlandës për Traktatin e Lisbonës në referendumin e qershorit të kaluar, e cila detyroi Francën dhe Gjermaninë të thonë se do të bllokonin zgjerimin e mëtejshëm, derisa të ratifikohej marrëveshja.
Ndërkohë, kriza financiare ka lëshuar hijen e vet. “Kur ekonomia bie, njerëzit janë të prirur të thonë: Mos të zgjerohemi më, le të zgjidhim problemet tona së pari”, - thotë një politikë-bërës evropian me trishtim.
*Titulli është redaksional