E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri raporton për Këshillin Bashkiak në Uashington

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje gjithë ditës ishte në merak se si po iu shkonte Mëngjesi i Lutjeve në Amerikë doktorit dhe Fatmirit. Nuk e zinte vendi sa të merrte vesh për mbarëvajtjen e punëve. E kishte me shumë merak vizitën e atij burrit, sidomos tani që dhe ky ambasadori nuk po lë gjë pa thënë kundër tij. Ja, dje, kishte dalë prapë. Pa mbërritur ai burri në SHBA, ia nisi mandatën ky, dha intervistë te Zëri i Amerikës. Mirë ky, po ndodhi dhe ajo e Këshillit Bashkiak. Flamuri ngeli gjithë natën pa gjumë, se priste që të ulej avioni në Uashington dhe t’ia thoshte gjëmën. Aty rreth orës 3 të natës arriti të lidhej. Dhe aty u krijua një ngatërresë. I ra telefonit të hotelit dhe doli recepsionistja. Nuk donte të kërkonte atë burrin direkt dhe pyeti:

- A është në hotel zoti Mediu nga Shqipëria?

Pas pak recepsionistja i tha: - Jo.

- Kontrollo dhe një herë, - i tha Flamuri. - Duhet të jenë dy burra nga Shqipëria.

- Po, - tha recepsionistja, - është mister Berisha dhe mister Medihoxha.

- Mister Medihoxha?! - tha Flamuri i çuditur... - Si e ka emrin?

- Fatmir, - i tha recepsionistja.

- Ai është, tha Flamuri. Paska ndërruar mbiemrin, tha me vete, se ka probleme në aeroporte.

Pas pak u lidh me doktorin.

- Dëgjo, - i tha. - Mbledhja e Këshillit mbaroi dhe ne e bëmë copë Edi Ramën. Nuk lamë gjë pa i thënë. Ishte mbledhje e shkëlqyer.

- Mirë shumë, - i tha Berisha. - E hodhët poshtë buxhetin.

- Ne nuk e quajmë, - tha Flamuri. - Ai kishte blerë votat. Kishte 29 vota.

- Si? - i tha Berisha. - 29... Po kush votoi?

- Mos e ngri zërin doktor, se është dhe natë, e kuptoj, po na tradhtoi dhe Partia Republikane.

- Ashtu...? Mirë, mirupafshim.

Pesë minuta më vonë mori Fatmiri.

- Ore Flamur, pse më ngatërron mua more burrë. Më bëri për një lek doktori. Një herë ika unë nga Shqipëria dhe u vuri para Edi Rama. Sa kam qenë unë në Shqipëri, s’më ka humbë asnjë votë. Na prishe gjithë takimet, se tani do takonim Dagun. Në fakt, miku im i vërtetë është Stan Holmes, zëvendësi i Dagut, (Doug Coe), si dhe Obrad Kesiç (serbo-amerikan). Ky është mik dhe me Fazlliçin. Se ti nuk e di kush është Dagu. Pastaj do takojmë Bobin, është një ish-kongresmen. Kemi dhe Engëllin që mund të jetë prapë kongresmen. Do takojmë dhe një mikun tim këtu që njeh njërin në Shtëpi të Bardhë. Është një dyqanxhi këtu në Uashington që ka vënë në dyqan fotografinë time. Sa herë vij me Nazarin këtu, blej rroba tek ai dyqan dhe jam klient VIP.

- E mora vesh, - tha Flamuri, - po s’kam ç’bëj. Duhet t’i thosha atij burrit, se s’kam ç’i bëj.

- Po na prishe shumë punë mor burrë, se iu prish humori. Tani ec e dëgjo këtë.

- U lutët, - e pyeti Flamuri, - se dëgjova që ju kanë detyruar të bëni 26 lutje?

- U lutëm, u lutëm, por s’na i pranuan lutjet. Na thanë duhet të rrëfeheni më parë gjatë. Ne s’kemi kohë, se dy ditë do rrimë. Po të fillojmë të rrëfehemi, duhet një muaj të flasim me vete.

- E kuptova, - tha Flamuri. - S’kemi ç’të bëjmë tjetër. Ne nxorëm këtë Gerti Bogdanin dhe ai sulmoi Top Channel-in. Se Topi kishte kapur Sokol Dervishin duke thënë: “Monika, i kanë 28 vota” . I futëm një të kërcënuar dhe i thamë që gruaja jote do të bëhet deputete, ndaj mbroni buxhetin.

- Po ai ç’tha, ka reaguar? - pyeti Fatmiri.

- Jo, ai s’ka reaguar, por më mori Zeni i shqetësuar. Tha: “Bëtë gabim që filluat të sulmoni gazetarët nga gratë, se do fillojnë dhe ata pastaj dhe hajt të mbarojë kjo punë.”

- Të drejtë ka pasur, - tha Fatmiri. - Gabim keni bërë. Mua sa herë vjen shkurti, më ngjethet mishi nga kjo punë. Se më kanë fotografuar një herë me Eli Farën dhe ma nxjerrin çdo 14 shkurt. Gabim keni bërë. Besoj se e keni bërë nga koka, nuk ua ka thënë ky burri.

- Jo, jo, ai e tha pa emër në konferencë shtypi, Bogdani e tha me emër. Ai e ka fajin. Ishallah i kthehen atij, se ai e ka pas gruan asistente vullnetare të Edi Ramës.

- Mos u merrni me këtë punën e grave aman, se na hapni telashe, - tha. - Nxirrni Aldo Bumçin të merret me këtë punën e dosjeve. Se po dalin gjithë këta spiunët po e kundërshtojnë. T’i fusë një kërkesë për këtë ambasadorin amerikan dhe danez, t’u verifikohet figura. Se të duket çudi ty, po ky Withers student në Kinë ka qenë. Mund të jetë komunist. Dhe danezët kanë pas parti marksiste leniniste. Dhe ai mund të jetë komunist. S’di ç’të them tjetër.

- U nxeh shumë ai burri, - tha Flamuri, - për Këshillin Bashkiak?

- U nxeh, - tha, - por tani po flet me Sandër Frangajn. Po i thotë: “Ma gjej atë të Neritanit, jepini sa të dojë, vetëm të kthejë votën”. Po dhe ju mor burrë nuk i morët dot masat.

- Na preu në besë Poni, - tha Flamuri. - Ai zakonisht vjen aq shumë erë, sa askush nuk rri dot deri në fund. Dje për dreq kishte bërë dush para se të vinte dhe rezistuan ata socialistët, nuk iku njeri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›