E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballë heronjve të komanduar të materializmit historik

Nga Ergys Mertiri

Walter Benjamin na tregon për një automat, në formën e një manekini, i cili luante shah. Automati ishte ndërtuar në një mënyrë të atillë që, duke iu përgjigjur çdo lëvizjeje të një shahisti me një kundër-lëvizje, arrinte ta fitonte lojën. Natyrisht, nuk jemi ende në epokën e çmendurisë teknologjike, ku roboti dhe kompjuteri i bëjnë karshillëk qenies njerëzore (ashtu siç shpesh i ofrojnë edhe shoqërinë e munguar, në kushtet e një vetmie vrastare të ardhur nga atomizmi shoqëror i kohëve moderne, produkt po ashtu i zhvillimit teknologjik). “Shahisti” i Benjamin-it është një kukull e vendosur mbi një tryezë prej xhami, e cila drejtohej nëpërmjet një mekanizmi, nga një “xhuxh rrondokop”, i fshehur poshtë tryezës, mjeshtër në këtë lojë. Këtij mekanizmi, Benjamin i vendos si analoge një filozofi përkatëse. Sipas tij, “Kukulla e quajtur materializëm historik” është ajo që duhet të fitojë gjithnjë. “Ajo, pa vështirësi mund të matet me këdo, duke qenë se ajo merr në shërbim teologjinë”, e cila, veç të tjerash, “nuk të lejon të vështrosh brenda saj”.

Ilustrimi i mësipërm duket adapt për të përshkruar mënyrën se si funksionon zhvillimi i mendimit në opinionin publik shqiptar. Duke marrë shkas nga debatet e fundit për rishkrimin e historisë dhe sidomos për çmitizimin e heroit kombëtar Skënderbeut, mund të thuhet se kjo parabolë i përgjigjet mjaft mirë realitetit intelektual në Shqipëri. Paralelizmi është i vlefshëm, jo vetëm për saktësinë, me të cilën ai mund të përshkruajë këtë realitet, por mbi të gjitha edhe për faktin e thjeshtë që elita kulturore shqiptare buron pikërisht nga ai truall doktrinar, të cilin ka për objekt pasqyrimi edhe figura e paraqitur prej autorit. Materializmi historik, mbetet pashmangshmërisht boshti ideor që karakterizon, jo vetëm pikëpamjet teorike që ndërtojnë mendimin intelektual shqiptar, por edhe botën ideore e shpirtërore në tërësi të inteligjencës shqiptare, mentalitetin që shoqëron qëndrimet dhe gjykimet e saj.

Dikush mund të shohë te “shahisti” i Benjamin-it ilustrimin e tezave konspirative që gjejnë mjaft terren në realitetin shqiptar. Kjo është e kuptueshme, për sa kohë që dështimi historik prej dy dekadash i të gjitha nismave ligjore për hapjen e dosjeve (përfshirë edhe këtë të sotmen), për dënimin e krimeve të komunizmit, për divorcin përfundimtar prej së kaluarës, kanë kultivuar bindjen se shteti shqiptar vijon të drejtohet, me anë të fijeve të tilla magjike, nga po të njëjtat duar. Gjithsesi, përtej teorive të tilla, ajo që qëndron në thelb të gjithçkaje, mbetet mënyra se si ndërtohen dhe funksionojnë proceset e të menduarit që orientojnë zhvillimet shoqërore, kulturore dhe politike në këtë vend. Debati i sotëm për Skënderbeun është shëmbëlltyrë e të njëjtit falsitet, si ai i një loje shahu me një manekin të tillë, të krijuar për të nënshtruar në mënyrë fiktive gjithfarë kundërshtari. Falsiteti gjenetik i materializmit historik, i cili synon të imponohet si një e vërtetë shkencore e pamohueshme dhe e pakritikueshme përbën realitetin e vërtetë të premisave të këtij debati, i cili nuk zhvillohet për të prodhuar mendim dhe orientime të vlefshme për shoqërinë, por për ngritur gardhe dhe leqe, të cilat synojnë të ruajnë mendjen e njerëzisë, duke konservuar mendimin, si dhe duke mos lejuar shtrirjen e tij përtej hapësirave të sunduara nga klasa kulturore trashëgimtare e së shkuarës. Në vijim të kësaj, mund të themi se elita intelektuale shqiptare nuk është një avangardë, e ndërtuar për të çarë përpara shtegun e dijes në drejtim të hapësirave dhe dimensioneve të reja, por është një rojë kufitare, e cila synon të mbrojë hapësirën e saj nga çdo diversant i ardhur nga jashtë, si dhe nga çdo i pakënaqur që rreket të arratiset përtej izolimit të prodhuar prej saj. Në këtë mënyrë, kjo elitë nuk merr përsipër ta udhëheqë zhvillimin e shoqërisë shqiptare drejt stadeve të reja të pjekurisë shoqërore, por ta lërë atë në stadin ku është, duke ruajtur status quo-në reale, e cila do të thotë për ta zgjatje e pushtetit të dijes së tyre mbi njerëzit. Elita intelektuale detyrohet të kthehet kështu në një prokurori kulturore, e aktivizuar për të dënuar për agjitacion e propagandë, këdo që rreket të dalë përtej mjedisit të izoluar asfiksues të prodhuar prej saj. Në këtë mënyrë, të duket se çdokush që i ka hyrë këtij kasaveti, për të ofruar këndvështrime të tjera ndaj historisë shqiptare, ndaj orientimeve kulturore e politike, ndaj aspiratave kolektive të shqiptarëve, do t’i duhet të përballet domosdoshmërisht në një shah tillë me heronjtë kombëtarë që vigjilojnë shpatëzhveshur mbi kutinë e vogël me kuadrate të fatit të kombit. Të duket se heronjtë përdoren rrjedhimisht si dordolecë mbi monumentet e tyre të derdhura nga bronzi sociorealist për të trembur këdo që synon t’i avitet arës së lënë djerrë të kulturës shqiptare, me synimin për ta lëruar e mbjellë atë.

Falsiteti shkencor i materializmit historik do të argumentohej më së miri nga Karl Popper te “Mjerimi i historicizmit”, duke treguar të njëjtin brumë teologjik, realisht opiumatik, të marksizmit. Gjithashtu, mjaft autorë të tjerë kanë vërejtur themelin fetar të një teorie të tillë në variantin më të keq të imagjinueshëm, një feje pa zot dhe pa shpirt, të zbatuar, veç të tjerash, për sfera joteologjike të jetës njerëzore. Historiografia shqiptare, ashtu si edhe mendimi në tërësi i inteligjencës shqiptare, vijon të ndjekë të njëjtën trajektore duke ruajtur në themelet e veta të njëjtën metodologji të përqasjes shkencore, duke prodhuar për pasojë të njëjtën ngurtësi gjymtuese në rrafshin e mendimit dhe rrjedhimisht edhe të zhvillimit shoqëror. Kriticizmi historik, karakteristika dominuese e mendimit shkencor dhe filozofik që prej Dekartit e këtej, përbëjnë jo më burimin e zhvillimit shkencor, por objektin e kërcënimit politik e kulturor, i cili duhet ekzekutuar pa mëshirë, për të bërë të mundur mbrojtjen e ideologjisë sunduese nga çdo rivalitet i mundshëm. Mendimi shkencor, nuk është më ai që synon të dalë prej sistemit, për të prodhuar alternativa të reja më të zhvilluara të mendimit. Ai kthehet në një mekanizëm që synon të prodhojë tautologjinë më të sofistikuar, për të penguar çdo kërcënim ndaj rendit ekzistues që shfaq zhvillimi i mendimit. Ky perceptim mbi shkencën, e kthen atë në një lloj kërbaçi ideor, i cili synon të ruajë rendin duke imponuar me dhunë verdiktin e saj. Piedestalet ofrohen në këtë mënyrë, më tepër si panele gijotinash apo krematoriumesh sesa si monumente që prodhojnë vlera.

I ndërtuar për të fituar, materializmi historik nuk prodhon një metodologji apo një teori të njohjes që të shërbejë si një rrugë drejt së vërtetës. Përkundrazi, ai rreket të prodhojë një mekanizëm që synon të ruajë sundimin e tij, duke ofruar pohime që nuk bëhen dot objekt i testueshmërisë shkencore. Poperi e ka shpjeguar më së miri këtë duke i konsideruar joshkencore teori të tilla si marksizmi apo frojdizmi, për sa kohë konstrukti i tyre është ndërtuar në mënyrë të atillë që të mbetet i patestueshëm shkencërisht. Pikërisht kjo e bën edhe debatin e sotëm për historinë të duket më tepër një debat politik, dhe aspak shkencor. “E vërteta nuk do të na shpëtojë”, kjo është fraza që, sipas Benjamin-it shënon në perspektivën historike të historicizmit, pikën ku ai përshkohet nga materializmi historik. Dhe kjo vjen, sipas tij sepse çdo e tashme shfaqet si kërcënuese ndaj kësaj historie, për sa kohë ajo nuk gjen vetveten në të. E gjithë kjo shtron detyrën që ideologjia të formatojë pikërisht atë të tashme që i përngjet tablosë historike të vizatuar nga historicizmi. E tashmja e prodhuar prej tij, është ajo që përcakton njëkohësisht të shkuarën dhe të ardhmen. “Sikundër lulet kthehen kah dielli, kështu edhe e kaluara kthehet kah dielli që po lind në qiellin e historisë”, - shprehet Benjamin. Ai e lidh këtë me domosdoshmërinë për të fituar duke u shprehur në vijim: “Njëjësimi me fitoren i vjen për shtat çdo sundimtari. Me këtë, materializmi historik ka mësuar gjithë ç’i duhet. Ai që ka fituar deri sot, bën pjesë në vazhdarin fitimtar të sundimtarëve që marshon përmbi ata që janë poshtë”. Kukulla e quajtur “materializëm historik” duhet të fitojë gjithnjë dhe duhet të sundojë kutinë e vogël të shahut. Cvajgu është një prej atyre që e ka kuptuar mirë dështimin në këtë lloj loje duke na dhuruar në këtë drejtim një nga novelat më të bukura të tij. Ndoshta jo më kot pësoi të njëjtin fat tragjik me Benjamin-in, duke përfunduar në vetëvrasje, si viktima të së njëjtës makineri nga gatuhet edhe materializmi historik.

Që prej pararendësve të marksizmit (Kanti dhe Hegeli), është shtruar problemi, nëse historia është një shkencë empirike apo një shkencë që ndërtohet mbi pohime apriori të nxjerra nga ligjësia shoqërore. Natyrisht, nën shembullin e Hegelit të kthyer me kokë poshtë, marksizmi synon të ofrojë një perspektivë, e cila niset nga ligjësitë që ofron zhvillimi i historisë njerëzore. Në fakt, Marksi nuk i nxjerr këto ligjësi prej fakteve empirike, por përpiqet që vetë këto fakte t’i përdorë si veshje të pohimeve apriori të tij. Historia në këtë mes është përcaktuar të jetë laboratori fals, ku historicizmi provon ligjësitë që i imponon arbitrarisht. Shkenca kthehet në këtë mënyrë në mekanizmin me të cilin “xhuxhi rrondokop” komandon kukullën shahiste të programuar doemos për të fituar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›