Projekti i dhëndrit të Berishës parashikonte dhe lulet që duheshin mbjellë
Thellohet skandali me projektin e Bankës Botërore. Faksimilet që po botojmë sot tregojnë se projekti parashikonte gjithçka deri në detaje, në një kohë kur qeveria deklaroi dje se përcaktohen vetëm kriteret që nuk lejojnë ndërtimin, kurse çfarë dhe ku do ndërtohet do e përcaktojnë bashkitë dhe komunat. “Në Planin e Zhvillimit të miratuar në 2008 paraqiten në hartë veç kriteret mjedisore dhe kulturore që nuk lejojnë ndërtimet, ndërsa fuqizon pushtetin vendor të kryejë Planin Lokal për zonat e lira. Pra, Planin e detajuar se çfarë, si dhe ku të ndërtojë të këtë mundësi ta kryejnë bashkitë dhe komunat, dhe jo ndërtuesit pranë Lames”, - tha ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Por, siç shihet nga fotografitë ajrore dhe nga të dhënat, projekti përcaktonte të gjitha llojet e ndërtimeve, bimësinë, rrugët e gjithçka tjetër në këtë zonë.
I gjithë ky informacion është tentuar t’i fshihet panelit të hetuesve të Bankës Botërore. Ata e kanë pranuar një gjë të tillë vetë.
“Hetimi nxori në pah fakte të pazakonta gjatë hartimit dhe zbatimit të projektit. Gjithsesi, gjatë përpjekjeve për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur dhe se si qe lidhur projekti i Bankës me shkatërrimet në Jalë, ne hasëm rezistencë të papritur nga stafi, i cili nuk dëshironte të bashkëpunonte për të zbardhur historinë e projektit. Sjellja e punonjësve dëmtoi hetimin e Panelit dhe punoi kundër interesave institucionale të Bankës”, - thanë hetuesit në një raport përmbyllës për punën e tyre.
Paneli ia bëri të ditur pengesat drejtorëve, për shkak se ky është një fenomen i ri “i pa hasur më parë në katërmbëdhjetë vjet punë”, duke krijuar përshtypjen se shumë punonjës nuk kishin thjesht interesa të lidhura me punën e tyre në bankë.
Por, në raportin e gazetës “Libertas” theksohet dhe një detaj tjetër interesant.
Në mars 2007, zyra e shtypit të Këshillit të Ministrave njoftoi se kryeministri Berisha është takuar me përfaqësues të kompanisë internacionale “Oppenheimer”, e cila kishte ndërmend të investonte disa miliarda dollarë për zhvillimin e “të gjithë bregdetit shqiptar”, në bashkëpunim me IFC dhe Bankën Botërore. Një ditë më pas, Banka Botërore në Tiranë përgënjeshtroi zyrtarisht njoftimin, duke thënë se “ne nuk financojmë projekte private, por vetëm projekte publike”.
“Kryeministri Berisha u takua sot me një grup përfaqësuesish të kompanisë internacionale “Oppenheimer”, e cila operon në tregun ndërkombëtar të kapitalit, të kryesuar nga drejtori Ekzekutiv i kompanisë, zoti Samuel Grossmann”, - thuhej në njoftimin e qeverisë, më 5 mars 2007. “Përfaqësuesit e kompanisë shprehën gatishmërinë për të nënshkruar së shpejti me palën shqiptare një kontratë për investime me vlerë disa miliardë dollarë në fushën e turizmit për zhvillimin e infrastrukturës turistike dhe ndërtimin e fshatrave turistikë, në fushën e energjisë dhe të industrisë, në ndërtimin e një porti të ri dhe një rafinerie. Kjo kompani ka përfunduar studimin paraprak për hartimin e një masterplani për zhvillimin e gjithë bregdetit shqiptar”, - vijon njoftimi.
“Realizimi i këtij projekti do të ketë gjithashtu mbështetjen e institucioneve financiare ndërkombëtare, si IFC, Banka Botërore etj.” Veçanërisht fjalia e fundit acaroi zyrtarët e Bankës Botërore, të cilët mohuan çdo lidhje mes projektit të tyre “Për Menaxhimin e Integruar të Bregdetit” dhe kësaj kompanie. Që nga ajo kohë, “Oppenheimer”, dhe drejtori i saj, Samuel Grossmann, nuk janë bërë të gjallë. As nga miliardat e tyre nuk është dëgjuar asgjë.
Si nisi hetimi
Hetimi dhe investigimi i kësaj banke ka nisur dhe është shtrirë në harkun kohor prej një viti e gjysmë. Kësaj here qeverisë dhe ndërtimorëve iu ka ngecur “sharra në gozhdë”, pasi prishën shtëpinë e familjes së një pedagogeje shqiptare në Kanada, të quajtur Katerina Koka, e cila, pasi ka ezauruar të gjitha ankesat në filialin e Bankës Botërore në Tiranë, më tej ka proceduar me denoncimin dhe kërkesën e saj për hetim drejt Panelit të Inspektimit të Bankës. Gjithë bazën dokumentare dhe ndjekjen e procedurës për këtë ankesë të bërë në emër të banorëve e ka udhëhequr pikërisht Katerina Koka, ndërsa mbi këto dokumente kanë firmosur të gjithë anëtarët e familjeve të prekura nga shkatërrimet në këtë fshat. Kërkesa e bërë nga banorët dhe e drejtuar nga Katerina Koka është marrë në dorëzim nga Paneli i Inspektimit të Bankës më 30 korrik 2007.
Pasojat
Dy muaj pas kësaj kërkese, në mëngjesin e 21 shtatorit të vitit 2007, në Rinas kanë zbritur tre përfaqësues të lartë të Panelit Inspektues të BB, që të tre persona me funksione “kyçe” në Bankën Botërore. Drejtoresha e Përgjithshme e Panelit, Uerner Kiene, së bashku me sekretaren Ekzekutive të Panelit, Dilek Barlas dhe ekspertin special, Eduardo Abbott (ish-drejtor i Panelit dhe një ekspert me shumë autoritet), vizituan Shqipërinë për të parë në terren zbatimin e projektit dhe për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe vërtetësinë e ankesave që kishin ardhur nga Shqipëria. Pasi janë njohur me pretendimet e përfaqësive të zonës së Jalës dhe asaj të Vlorës, tre përfaqësuesit e lartë kanë kontaktuar dhe ekipin e menaxhimit të projektit, për të dëgjuar dhe versionin e tyre. Kësisoj, pasi kanë inspektuar për katër ditë dhe pasi kanë arkivuar qëndrimet, argumentet dhe pozicionimet e të dyja palëve, ata kanë filluar hartimin e këtij raporti, që sot ndodhet në zyrën e Bordit drejtues të Bankës Botërore.
Gazeta “Albania”
PS: Hetimin për dhëndrin e Berishës e urdhëroi Banka Botërore, jo opozita
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha dje se hetimi për skandalin me prishjen e ndërtimeve në Jalë është urdhëruar nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore. “Dua të hedh poshtë si të pavërteta, të padenja, fajtore të gjitha aludimet e bëra ditët e fundit mbi këtë raport nga avokatët e familjes Berisha që paguhen nga taksat e shqiptarëve.
Hetimi i veprimeve abuzive mbi Projektin është urdhëruar në datën 1 nëntor 2007 nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të BB. Pra, jo nga opozita.
Paneli i Inspektimit është një institucion i ngritur në BB, në bazë të paragrafit 22 të Rezolutës së 93-6 të IDA dhe funksionon në bazë të paragrafit 53 të Procedurës së Funksionimit të Panelit.
Pra, paneli është institucioni i BB, i ngritur enkas nga BB për të shqyrtuar raste ankesash për abuzime me projektet e Bankës.
Përpjekjet e avokatëve të familjes Berisha për ta paraqitur këtë panel si jo të BB, joserioz, tendencioz dhe politik janë të pavërteta, të mjera dhe mbi të gjitha nuk mbrojnë fajtorët”, - tha Braçe.
Ai deklaroi se opozita e ka denoncuar që në fillim emërimin e dhëndrit të Berishës në këtë detyre. Braçe shtoi se ata kanë denoncuar dhe skandalin e një kompanie pasurish të patundshme, të lidhur me të shoqen e Jamarbër Malltezit.
“Drejtuesit e Projektit në Shqipëri kanë lidhje të drejtpërdrejtë me BB, madje ata paguhen nga borderotë e parave të BB.
Mbi të gjitha, siç vërehet në raport, hetimi ka qenë direkt mbi veprimet e tyre në ushtrimin të detyrës së tyre në menaxhim të projektit dhe konkluzionet janë të drejtpërdrejta për ta dhe funksionet që kryejnë.
Ne, që në ditën e parë, e kemi cilësuar emërimin e dhëndrit të Sali Berishës në menaxhimin e këtij projekti me portofol dhjetëra milionë euro si skandaloz dhe në konflikt të pastër interesi.
Ne kemi cilësuar skandaloz thellimin e gjendjes së konfliktit të interesit, faktet e bëra publike nga një kompani imobiliare, operative në Shqipëri, mbi shërbimet e paguara të bashkëshortes së drejtorit të projektit në aktivitetin e shitblerjes së tokave bregdetare në Jug të kësaj kompanie.
Ne e kemi quajtur konflikt interesi për së treti, ngritjen e një tjetër biznesi privat nga drejtori i projektit, me objekt të gjitha objektivat e projektit që ai drejton”, - tha Braçe.
Zyrtari socialist tha në përfundim se vetë Banka Botërore i pranon abuzimet me projektin. “Raporti evidenton qartë atë që dëshmojnë dhjetëra banorë të Jalës, goditjen selektive të drejtorit të projektit dhe policisë së menaxhuar nga vjehrri i tij kryeministër, mbi 12 prona për të pastruar nga biznese familjare legale prej dhjetëra vitesh, territorin tregtar të Jalës, për ta marrë tamam këtë biznes më vonë.
Dëshmitë janë të qarta, është pastruar vetëm ky territor, janë shkatërruar vetëm këto 12 prona e jo ndërtime të tjera të paligjshme aty.
Këto veprime kanë qenë thellësisht abuzive. Këtë nuk e pohon vetëm raporti i hetimit, por e pohon paraprakisht Banka Botërore:
Deklarata: “Megjithatë, për momentin, mund të themi se janë bërë gabime në projekt dhe se po merren aktivisht në konsideratë mënyrat e trajtimit të dëmit të mundshëm të atyre që janë prekur”.
Banka Botërore evidenton qartë si fajtor për gabimet e kryera Grupin e Menaxherëve dhe stafin:
Deklarata: “Banka Botërore shqetësohet për gabimet e bëra në kuadër të këtij projekti nga Grupi i Menaxherëve të Bankës Botërore dhe stafi”.
Banka Botërore i konsideron këto veprime e gabime si të ndëshkueshme:
Deklarata: “Në përputhje me procedurat e brendshme, Banka është duke shqyrtuar veprimet e stafit të vet dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të marrë masat e duhura”.
Këto veprime ndaj pronarëve në Jalë janë gjykuar si në kundërshtim të hapur me direktivat e BB për zhvendosjet dhe direktivat e BB mbi varfërinë.
Pikërisht për këtë BB pohon “se po merren aktivisht në konsideratë mënyrat e trajtimit të dëmit të mundshëm të atyre që janë prekur.”
Ajo që mbetet në gjithë këtë histori abuzimi, që anashkalohet banalisht nga avokatët e familjes Berisha, është fakti se hetimi mbi stafin e njësisë së menaxhimit të projektit, si dhe fakti që këta funksionarë, duke përfshirë dhëndrin e kryeministrit, kanë penguar në format bande hetimin”, - tha Braçe.
LSI: Malltezi të dorëhiqet, të dëmshpërblehen banorët e dëmtuar në Jalë
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dorëheqjen e Jamarbër Malltezit nga projekti i Bankës Botërore dhe shtoi se duhet të dëmshpërblehen banorët e dëmtuar nga abuzimet e dhëndrit të Berishës. “LSI ka denoncuar fort dhe publikisht dy vjet më parë masakrën e konsumuar në Jalë, kur qeveria e Berishës sulmoi me fadromat dhe policinë e saj pronat e banorëve të fshatit Vuno në atë zonë.
Edhe dy vjet më parë qeveria bëri veshin e shurdhër dhe me arrogancë vijoi pa hezitim ofensivën e saj, duke shkatërruar pronat dhe duke shtypur qytetarët në Jalë.
Qeveria e Berishës sulmoi këto prona me një egërsi të padëgjuar, sepse interesat e ngushta klienteliste dhe korruptive e udhëhoqën për ta bërë këtë.
Sot, gjithçka që LSI bëri publike, është vërtetuar qartë dhe problemi është bërë kritik, sepse korrupsioni i lartë qeveritar shkon deri te kryeministri dhe kjo është provuar pa asnjë ekuivok edhe në raportin investigues të panelit inspektues të Bankës Botërore.
Çdo lloj shpjegimi nga ana e ministrit përkatës është pa vlerë, gjithashtu pa asnjë vlerë është edhe çdo lloj shpjegimi nga Tirana i ministrit, ndërkohë që realitetet atje në Jalë janë krejtësisht ndryshe dhe ministri do ta kishte absolutisht të pamundur të përballej me banorët e Jalës.
Çdo lloj shpjegimi i ministrit përmbyset, sepse Banka Botërore ndërmori një masë shumë të fortë ndaj këtij projekti të shpërdoruar duke e pezulluar këtë projekt, sepse, në vend që ai të ishte një projekt që do të ndikonte pozitivisht në zonën e bregdetit, ai krijoi kaos, pasiguri, mosbesim dhe dëshpërim në të gjithë komunitetin e zonave të trajtuara nga projekti.
Në këtë situatë skandaloze dhe të paprecedent, në të cilën është katandisur projekti i Bankës Botërore për bregdetin dhe rolit tërësisht negativ, abuziv dhe me ngjyrim të fortë korruptiv të koordinatorit Malltezi, hapi i parë i reflektimit është dorëheqja e Malltezit dhe në rast se kjo nuk ndodh, atëherë kryeministri Berisha në mënyrë të menjëhershme duhet të ushtrojë përgjegjësitë e tij shtetërore dhe të bëjë shkarkimin e Malltezit nga pozicioni që ai mban, si dhe të vihet në dispozicion për të sqaruar gjithçka lidhur me këtë skandal të qeverisë së tij.
Gjithashtu, Berisha duhet të evidentojë të gjithë dëmtimin e shkaktuar ndaj pronave të banorëve të Jalës dhe të marrë masa të menjëhershme për zhdëmtimin e tyre”, - tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili.