FMN: “Qeveria, kujdes me shpenzimet buxhetore për fushatën elektorale”
Ervin Koçi
Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon qeverinë shqiptare që të mos rrisë artificialisht shpenzimet buxhetore vitin e ardhshëm për qëllime elektorale. Përfaqësuesja e zyrës së FMN-së në Tiranë, Ann Margaret Uestin, ka kërkuar t'i jepet fund kësaj praktike që kanë ndjekur maxhorancat në vend, sa herë ndodhen para zgjedhjeve parlamentare. Përfaqësuesja Uestin ka shpjeguar për mediat të gjitha arsyet përse qeveria shqiptare duhet të zgjasë programin me FMN-në, i cili skadon në janar të vitit 2009. "Fondi është i pranishëm edhe në vende shumë të zhvilluara. Por në rastin e Shqipërisë konsulenca e këtij institucioni bëhet edhe më e nevojshme për t’u dhënë garanci investitorëve të huaj, pasi në vend mungojnë statistikat e besueshme",- tha shefja e FMN-së në Tiranë. Vitin e kaluar qeveria shqiptare nuk ka mundur të investojë rreth 150 milionë dollarë, të cilat ishin parashikuar në buxhetin e atij viti. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka thënë në lidhje me këtë se në tërësi realizimi është 84 për qind e programit buxhetor, duke kapur shifrën prej 57 miliardë lekësh në total financimi i investimeve gjatë vitit 2007.
Buxheti 2008
FMN-ja e shikon me skepticizëm edhe realizimin e investimeve përgjatë vitit 2008, si pasojë e grumbullimit të tyre nga qeveria për në periudhën e fundvitit. “Ajo që kemi parë deri tani për vitin 2008 është ajo që ka ndodhur edhe vitin e kaluar. Të ardhurat janë mbledhur mirë, por investimet janë të vonuara. Deri në fund të shtatorit shpenzimet për investimet, të financuara nga të huajt janë vetëm 32 për qind e planit vjetor. Me këtë ritëm është e nevojshme të bëhet një rishpërndarje të shpenzimeve të investimeve nga ato ministri që nuk kanë realizuar planet”, - ka deklaruar përfaqësuesja e FMN-së në Shqipëri, Uestin. Ajo ka shtuar më tej se nuk ka një planifikim shumë të mirë për këto investime, por ajo që ndodh është një nënvlerësim i shpenzimeve për investime. “Ndoshta kanë qenë optimistë kur kanë bërë planifikimin e shpenzimeve për investime dhe prandaj ne sugjerojmë një buxhet suplementar për të rishpërndarë fondet. Kjo sigurisht që nuk është perfekt. Do të kishte qenë mirë që këto gjëra të ishin parashikuar që në fillim. Por është shumë më mirë që të arrihet niveli i deficitit duke bërë rishpërndarjen se sa të rrihet e të pritet sesa do të shkojë në fund deficiti”, - tha Uestin.
Financimet e huaja
Sipas ministrit të Financave, Bode, pjesa më e madhe e mosrealizimit të financimeve vitin e kaluar kishte të bënte me financimet e huaja, të cilat ishin realizuar në 52 për qind, ndërsa investimet me financime të brendshme ishin 93 për qind. Në të vërtetë, qeveria shqiptare vitin e kaluar, në muajin dhjetor, bëri një rishpërndarje të fondeve, por kjo nuk pengoi mosrealizimin e investimeve dhe lënien jashtë duarve të bizneseve dhe të punonjësve mbi 150 milionë dollarë. Buxheti faktik i vitit të kaluar veç mosrealizimit të investimeve ka arritur të bëjë të mundur ruajtjen e treguesve ekonomikë në nivele të parashikuara. Ministri Financave, tha se “ky buxhet mundësoi rritjen me 17 për qind të pagave të sektorit buxhetor, por edhe të atij privat”. Në të vërtetë, niveli i pagave në sektorin privat jobujqësor nuk ka pësuar rritje mesatare që prej dy vitesh, pavarësisht pagave të referencës që ka vendosur qeveria shqiptare. Pagat e referencës kanë rritur sasinë e parave që shkon në tatime si pasojë e mbledhjes më me ashpërsi e tatimit mbi të ardhurat personale dhe e takës së punës, por assesi nuk kanë rritur pagat e punonjësve.
BOX/////////////////////////////
Doganat: Rritet zhdoganimi i mallrave me akcizë
Administrata doganore arkëtoi në buxhetin e shtetit gjatë nëntëmujorit të këtij viti 76 miliardë e 571 milionë lekë. Gjatë muajit shtator është rritur importi i mallrave me akcizë. Sipas të dhënave më të fundit nga administrata doganore, gjatë këtij 9-mujori janë zhdoganuar 308,325 tonë karburante nga 302,113 tonë të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 6,212 tonë ose 2 për qind më shumë. Cigare janë zhdoganuar 3,008 tonë krahasuar me 2,578 tonë të zhdoganuara gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 430 tonë ose 17 për qind më shumë. Gjatë këtij harku kohor janë zhdoganuar 4.561 tonë kafe nga 4.478 tonë të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 83 tonë ose 2 për qind më shumë. Të ardhurat nga zhdoganimi i mallrave me akcizë zënë një vend të rëndësishëm në të ardhurat e përgjithshme të administratës doganore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gati për vitin tjetër
Vitin e ardhshëm siguria ushqimore do të garantohet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ngritja e kësaj strukture është edhe një ndër kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për integrimin në Bashkimin Europian. Kjo pasi siguria ushqimore mbetet një ndër problemet kryesore në vendin tonë, sidomos produktet ushqimore që shiten të hapur në tregje, të paambalazhuar sipas standardeve, apo, një pjesë e mallrave të importit që tregtohen pa etiketën në gjuhën shqipe. Me këtë nisëm Shqipëria po sfidon një nga kërkesat themelore që ka kërkuar BE-ja për përfshirjen e vendit në të. Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana, deklaroi se, “kjo platformë përkrah interesat e konsumatorit dhe plotëson kushtet për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”. Ngritja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit u miratua 5 muaj më parë dhe për rreth dy vjet u diskutua ky vendim midis grupeve të interesit.
BSH-ja ndërhyn për të stabilizuar tregun e parasë
Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2008 përfshinë operacione të tregut të hapur kryesisht për injektimin e likuiditetit, bënë të ditur burime të BSH-së. Bankat përdorën depozitën njëditore, niveli mesatar ditor i të cilës ishte 3.8 miliardë lekë, në krahasim me 2.6 miliardë lekë në tremujorin e kaluar. Në kushtet e plotësimit të nevojave në tregun ndërbankar, instrumenti i kredisë njëditore gjeti përdorim minimal edhe gjatë këtij tremujori, rreth 0.26 miliardë lekë, në 3 raste përdorimi, bëri të ditur BSH-ja. Sipas Bankës Qendrore, 3-mujori i dytë i vitit ka qenë pozitiv për tregtimin e monedhës vendase. Leku ka fituar terren ndaj monedhave të huaja, si pasojë e disbalancës midis ofertës sezonale relativisht të lartë të valutës dhe kërkesës për të. Kjo disbalancë është shfrytëzuar nga BSH-ja për të blerë valutë, në plotësim të objektivit të Rezervës Ndërkombëtare Neto.
Ministri i Transporteve inspekton punimet në rrugën “Durrës-Kukës”
Drejtuesit e Ministrisë së Transporteve kanë inspektuar punimet në rrugën Durrës-Kukës. Deri tani kanë përfunduar tetë ura, si dhe ka nisur puna për 15 urat e tjera. Paralelisht, punimet vazhdojnë edhe në dy tunelet. Kompania “Bechtel Enka”, ka përfunduar një pjesë të konsiderueshme të punimeve në rrugën Durrës-Kukës. Drejtuesit të ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit kanë inspektuar punimet. Deri tani kanë përfunduar 8 ura dhe janë vendosur bazamentet dhe këmbët mbajtëse për 15 urat e tjera. Paralelisht po punohet edhe në dy tunelet, ku në total në të dy galeritë janë gërmuar dhe hapur 7.5 km. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili ndodhej atje bashkë me specialistët për inspektimin e punimeve u shpreh se “ndryshimi nga qershori deri në ditët e sotme është i madh dhe mbyllja e punimeve do të jetë në afatin e kërkuar”. Sipas afateve të përcaktuara, kompania “Becthel-Enka”, duhet t’i përfundojë punimet në rrugën Durrës-Kukës në mesin e vitit të ardhshëm.
18 Tetor 2008