“Sfida e Mijëvjeçarit”, luftë kundër korrupsionit dhe reformë të thellë në Tatime
Lufta kundër korrupsionit hyn në një raund të ri. USAID-i dhe qeveria e Shqipërisë nënshkruan dje Programin e Pragut për Shqipërinë me Korporatën Sfida e Mijëvjeçarit, Faza II, i cili do të fokusohet në uljen e korrupsionit në disa sektorë kritike si prokurimet publike, tatimet, si dhe në regjistrimin e biznesit. Marrëveshja dypalëshe e nënshkruar mes SHBA-ve dhe Shqipërisë duhet të zbatojë për një periudhë 2-vjeçare Programin e Pragut “Faza e Dytë” me vlerë 15.7 milionë dollarë, që ngrihet mbi suksesin e Programit aktual të Pragut të KSM-së, i cili do të përfundojë më 15 nëntor 2008. Programi fokusohet në uljen e korrupsionit në prokurimet publike, në administrimin e tatimeve, si dhe në regjistrimin e biznesit. Programi i ri, i administruar nga USAID-it, synon të zvogëlojë korrupsionin dhe ineficiencën në administratën tatimore, të ndërtojë një qendër kombëtare “one-stop shop” për licencat e bizneseve, të krijojë një sistem transparent të dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe të formojë Njësi të Përbashkëta Hetimore në gjashtë qytete për të hetuar çështjet e korrupsionit. Kryeministri Sali Berisha, ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uidhers II dhe znj. Kraham, nënzëvendëspresidente e Departamentit të Politikave dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të KSM-së, ndoqën nënshkrimin e marrëveshjes midis Drejtoreshës së USAID-it, Roberta Mahoney dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode. Ambsadori Uidhers, gjatë fjalës së tij, nënvizoi se “nevojitet më shumë punë për të çrrënjosur korrupsionin në Shqipëri”.
18 Tetor 2008