Dëshmia e pengmarrësit, pendohet për grabitjen e 6-vjeçarit
LEZHË – Zbardhen motivet e pengmarrjes së 6-vjeçarit të ndodhur dy ditë më parë, ku autori i kësaj ngjarje ka pohuar se e ka kryer këtë veprim në shenjë hakmarrje. Sipas burimeve zyrtare, Agim Marku ka treguar shkaqet e rrëmbimit të M. Prengës, duke deklaruar se babi i fëmijës, Anton Prenga i kishte marrë të dashurën e tij me të cilën do të krijonte lidhje serioze. I ndodhur para “tradhtisë”, ai ka marrë peng fëmijën për të kërcënuar Prengën. Agim Marku është penduar për krimin që ka kryer. Dy ditë më parë është zbardhur edhe telefonata e parë e personit që ka lajmëruar policinë për pengmarrjen e fëmijës M. Prenga. Autori i kësaj ngjarje, sapo ka liruar pengun dhe ka tentuar të largohet, është arrestuar më pas nga policia. Sot pritet që Gëzim Marku të dalë para gjykatës për të marrë edhe masën e dënimit për veprën penale të “heqjes së lirisë së personave të mitur”.
Zbulohet banda e grabitjes së automjeteve, dy të rinj në pranga
DURRËS – Zbulohet grupi i grabitësve të makinave në rrethin e Durrësit ndërsa dy persona kanë rënë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut pohojnë se pasi janë denoncuar disa raste të dëmtimit të mjeteve, si thyerje xhamash, apo edhe grabitje të makinave të tyre, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve. Sipas tyre, ekspertët e krimit kundër pronës nisën mbrëmjen e së enjtes operacionin e koduar me emrin “Trekëndëshi”, i cili përfundoi në orët e para të ditës së djeshme me arrestimin e shtetasve Emiljan Korça, 21 vjeç, dhe E.H. 17 vjeç, që të dy të lindur dhe banues në fshatin Perlat të komunës së Sukthit. Kapja e tyre është bërë në kushtet e flagrancës, pasi ishin të pajisur me maska koke, mjete të tjera si kaçavida, pinca, etj., pikërisht në momentin kur po grabisnin makinën tip “Mercedes Benz”, 250D, me targa CL68867, pronë e A. M. Dy personat e mësipërm dyshohet se janë autorë edhe të tre vjedhjeve të tjera të ndodhura më 11, 12 dhe 13 tetor. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e Emiljano Korçës në fshatin Perlat, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provave materiale i sendeve të vjedhura në këto automjete. Tashmë ndaj dy personave të arrestuar kanë nisur hetimet pasi akuzohen për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim.
18 Tetor 2008