E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deri në nëntor pap-testi falas në maternitetet e kryeqytetit



Vizita e pap-testit prej dy javësh ka nisur të kryhet falas në të dy maternitetet e Tiranës. Falë një projekti amerikan, specialistët e maternitetit “Koço Glozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë” prej dy javësh kanë pritur një fluks pacientesh për vizitën e pap-testit. Burime pranë këtyre materniteteve shpjeguan se ky projekt do të zgjasë për rreth dy mua, që përkon me fundin e muajit nëntor. Burime nga materniteti “Koço Glozheni” sqarojnë se numri i grave, të cilat drejtohen çdo ditë në spital për të kryer vizitën, vjen duke u rritur. Sipas mjekëve, pap-testi shërben për të shmangur sëmundjen e kancerit në qafën e mitrës. Ata rekomandojnë që të gjitha femrat që kanë një jetë seksuale apo që kanë lindur fëmijë duhet të kryejnë këtë vizitë në mënyrë të vazhdueshme. Çdo vit shënohen mbi 230 raste të reja të prekura nga kanceri i mitrës.
Pacientet
Mjekët kërkojnë të sensibilizojnë të gjitha gratë për kryerjen e kësaj vizite për të mbajtur në kontroll të vazhdueshëm gjendjen e tyre shëndetësore. Shpeshherë mjekët kanë apeluar se numri i të prekurve nga të gjitha llojet e tumoreve ka ardhur në rritje vitet e fundit. Në këtë kategori përfshihen kryesisht femrat, të cilat janë mbi moshën 40 vjeç. Por nuk mund të përjashtohen edhe raste të tjera. Madje, duke pasur parasysh rritjen e numrit të të prekurve, shpeshherë autoritet shëndetësore në bashkëpunim me fondacione apo qendrat shëndetësore të huaja mundësojnë kryerjen e vizitave falas për të sensibilizuar qytetarët për rrezikun që u kanoset nëse sëmundja nuk kapet që në fillim. Ndërsa nëse sëmundja do të kapej në fazat fillestare do të ishte më e lehtë për të ndërhyrë dhe për ta shmangur atë. Për këtë arsye, mjekët kërkojnë që femrat të përfitojnë nga rasti kur vizitat janë falas për të kujdesur për veten.
Statistika
Pjesa më e madhe e femrave që preken nga tumoret, rrezikohen nga kanceri i gjirit, i cili shkakton edhe 400 viktima në vit, ndërkohë që numri i të prekurve është më i madh. Por, femrat janë të rrezikuara edhe nga kanceri i qafës së mitrës ku çdo vit shënohen mbi 230 raste të reja. Të dhënat tregojnë se rreth 200 raste humbasin jetën nga kjo lloj sëmundje. Mjekët sqarojnë se problemi kryesor te femrat shqiptare mbetet kapja e sëmundjes në stade të vonshme. Kështu në këto raste rekomandohet kryerja e vazhdueshme e Mamografisë apo pap-testit. Kjo duhet të kryhet të paktën një herë në vit ose çdo 6 muaj, për gratë që janë mbi moshën 40 vjeç. Por nuk mund të përjashtohen edhe raste të tjera të numri të femrave më të reja në moshe. Ndërkohë që numri i viktimave nga tumoret, në total kap shifrën e 2800 personave në vit.

Transplantimi i parë i veshkave pritet në muajin nëntor

Transplantimi i parë i veshkave pritet të kryhet për herë të parë në Shqipëri në muajin nëntor. QSUT-ja është pothuajse në përfundim të përgatitjes së terrenit të nevojshëm në të tre pavijonet që do të shërbejnë për kryerjen e operacioneve të para. Ministria e Shëndetësisë dhe vetë shefat e pavijoneve përkatëse në QSUT bëjnë të ditur se në datën 25 tetor përfundon përgatitja përfundimtare e sallave. Ndërsa në muajin nëntor do të jetë çifti i parë i pacientëve që do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Fëmijët 6-vjeçar vuajnë nga kariesi dentar

Të dhënat shëndetësore pohojnë se rreth 17 për qind e fëmijëve nën moshën 6-vjeçare vuajnë nga kariesi dentar. Të dhënat publikohen nga Autoritetit Shëndetësor Rajonal i Tiranës, në bashkëpunim me ata të Shëndetit Dentar Publik. Në studim evidentohet fakti se në moshën 18 vjeçare, vetëm 79.2 % e pjesëmarrësve rezultojnë pa asnjë dhëmb të hequr.

Dje, Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë

Niveli i varfërisë në Shqipëri është ulur gjatë një viti me rreth 19 përqind. Dje, në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, 17 Tetor, zëvendësministrja e Punës, Marjeta Zaçe, bëri të ditur se në Shqipëri popullsia që jeton nën vijën e varfërisë llogaritet në 14 përqind, nga 16.9 përqind në vitin 2007. Sipas saj, këtë vit, trajtohen me Ndihmën Ekonomike 93 mijë familje, nga 114 mijë që përfitonin në vitin 2007. Kjo do të thotë se niveli i varfërisë është ulur me rreth 19 përqind.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›