E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat e automjeteve, amnisti për taksën e regjistrimit vjetor dhe të qarkullimit



Qeveria ka marrë vendimin për faljen e dy prej taksave për automjetet, të cilat kanë mbetur të papaguara nga drejtuesit e tyre. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 9, pika 2, të Ligjit nr. 9986, datë 11.9.2008, “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave dhe të kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore”, me propozimin e ministrit të Financave, ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor (DRSHTRR) të kryejnë për mjetet që nuk janë në qarkullim veprimet përkatëse të çregjistrimit të përhershëm të mjetit, brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, kur pronarët e këtyre mjeteve, debitorë për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshëm, të dorëzojnë: a) formularin e vetëdeklarimit, për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, sipas modelit të përgatitur nga DPSHTRR; b) certifikatën e pronësisë; c) lejen e qarkullimit; ç) targat e mjetit. 2. Në rastet kur pronarët e mjeteve, që nuk janë në qarkullim, nuk disponojnë certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit, targën, DRSHTRR-të të bëjnë çregjistrimin e mjetit rrugor, brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, pasi subjekti të dorëzojë formularin e vetëdeklarimit, sipas modelit të përgatitur nga DPSHTRR-ja, për: a) shkatërrimin, skrapinimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit; b) mungesën e certifikatës së pronësisë;
c) mungesën e lejes së qarkullimit; ç) mungesën e targave. 3. Pas përfundimit të afatit kohor, të përcaktuar në ligj, për kryerjen e veprimeve të çregjistrimit të mjeteve, që nuk janë në qarkullim, DPSHTRR-ja heq nga regjistri aktiv dhe mban në regjistrin pasiv, të gjitha mjetet, të cilat nuk kanë kryer kontrollet teknike të detyrueshme në dy vitet e fundit, duke njoftuar dhe pronarët e këtyre mjeteve. 4. Për pronarët e mjeteve, që nuk janë në qarkullim, debitore për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, të cilët nuk kryejnë veprimet për çregjistrimin përfundimtar të mjetit, brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, DRSHTRR-të nuk do të kryejnë asnjë veprim për mjetet e tjera në pronësi të tyre, deri në kryerjen e plotë të veprimeve të çregjistrimit të mjeteve, që nuk kanë paguar taksat. 5. Pronarët e mjeteve, që janë në qarkullim, debitore për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe të taksës së regjistrimit të përvitshme, të cilët kryejnë veprimet përkatëse të pagesës së detyrimeve, në të gjithë komponentët e tij, të vitit 2008, brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, nuk do të paguajnë taksat e prapambetura. 6. Pronarët e mjeteve, që janë në qarkullim, që nuk kryejnë veprimet përkatëse të pagesës së detyrimeve të vitit 2008, brenda afatit kohor të përcaktuara në ligj, të paguajnë të gjitha taksat e prapambetura të mjetit. Gjithashtu, ndaj këtyre pronarëve nuk do të kryhet asnjë veprim nga DRSHTRR-të, për mjetet e tjera në pronësi të tyre, deri në shlyerjen e plotë të taksave të prapambetura. 7. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe DPSHTRR-të, të marrin të gjitha masat për informimin e pronarëve të mjeteve, që janë debitorë, për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, për të kryer, brenda afatit kohor të përcaktuara në ligj, respektivisht, veprimet e nevojshme të çregjistrimit për mjeteve, që nuk qarkullojnë, dhe pagesën e taksave të vitit 2008 për mjetet, që qarkullojnë.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›