E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Qeverive do t’iu duhet të rrisin taksat për bizneset

21/08/2009  Sipas ekspertëve rimëkëmbja ekonomike ka nisur, por kërkon kohë

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se bota ka nisur të rimëkëmbet nga recesioni, por një rimëkëmbje e qëndrueshme do të kërkojë ide dhe veprime të reja nga ekonomitë e mëdha. Në një komunikim zyrtar të këshilltarit ekonomik në FMN, Olivier Blançard, thuhet se rënia e shpejtë ekonomike, më e keqja në shtatë dekadat e fundit, ka lënë shenja të “thella” financiare, të cilat do të prekin furnizimet dhe kërkesat për vite. Raporti thotë se rimëkëmbja e qëndrueshme globale do të kërkojë nga ekonomitë, që aktualisht kanë konsumim të madh të prodhimeve, si SHBA-të, të rifokusohen në rritjen e eksporteve të tyre. Ndërsa nga ekonomitë aziatike, si Kina, kërkohet që të ndërmarrin hapa për inkurajimin e qytetarëve, që të shpenzojnë më tepër dhe të rrisin kërkesat për eksport. Në këtë raport të fundit Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se thuajse në të gjithë vendet, një pjesë e madhe e kostove të krizës i është ngarkuar buxheteve të qeverive për shkak të shpenzimeve të mëdha që ato kanë kryer për të ndihmuar ekonomitë. Për rrjedhojë deficitet buxhetore kanë shënuar për këtë vit rekorde maksimale. Paralajmërimi që bën FMN-ja është se shumë shpejt të gjitha qeveritë do të jenë të detyruara të marrin masa drastike për të ribalancuar financat publike dhe në këtë pikë është i pashmangshëm rëndimi i barrës fiskale. Sipas ekspertëve, qytetarët dhe bizneset në mbarë botën nuk do t’u rëndojë vetëm rritja e taksave si kostoja e vetme që do të duhet të paguajnë. Ekspertët e FMN-së në analizën e tyre kanë theksuar se ekonomia nuk do të jetë e aftë të krijojë vende të reja pune, të paktën deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, çka do të thotë se ata që kanë humbur punën si pasojë e krizës do të qëndrojnë të papunë për një kohë jo të shkurtër. Ekspertët e FMN-së vënë në dukje edhe një tjetër rrezik. Sipas tyre, vetë rritja ekonomike nuk është e sigurt, pasi deri tani ajo i dedikohet shpenzimeve marramendëse të qeverive, të cilat shumë shpejt do të duhet të rishikohen dhe nëse sektori privat nuk do të reagojë për të rritur kërkesën, atëherë ekonomia mund të tronditet sërish. Aktualisht mbikëqyrja e FMN-së ofron vlerësim të specializuar të zhvillimeve ekonomike dhe financiare globale dhe rajonale. FMN-ja ndihmon sistemin monetar ndërkombëtar t’i shërbejë qëllimit të tij primar duke dhënë një kornizë që lehtëson shkëmbimin e të mirave, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet vendeve dhe të mbajë një rritje ekonomike të mirë.

Politika monetare

Javën e ardhshme vendimi për normën bazë

Banka Qendrore do të zhvillojë javën e ardhshme mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës për të diskutuar raportin e Politikës Monetare për muajin gusht 2009 dhe vendimin e politikës monetare. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të diskutojnë informacionet mbi vrojtimin e aktivitetit të sistemit bankar, për ndërhyrjet në tregun e parasë dhe atë të brendshëm valutor gjatë periudhës prill - qershor të vitit 2009, mbi ecurinë e rezervës valutore dhe portofolave të investimit gjatë muajit qershor, si dhe buletinin e “Bilancit të Pagesave për vitin 2008”. Burime zyrtare të zyrës së shtypit bëjnë të ditur se në këtë mbledhje do të diskutohet edhe raporti i mbikëqyrjes për vitin 2008, raporti “Mbi veprimtarinë e auditit të brendshëm në tremujorin e dytë të vitit 2009”. Një tjetër diskutim do të jetë edhe ai për informacionin lidhur me pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për periudhën shtatë mujore të vitit 2009, si dhe ai për realizimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009.

Statistikat

Depozitat në lekë

nga rezidentët 94.5% të totalit

Bankat kanë bërë oferta për rritjen e normave të interesit të depozitave, me qëllim tërheqjen e parave të emigrantëve. Të dhënat tregojnë se gjatë muajit maj 2009 sektorë të tjerë rezident zuri nivelin më të lartë të depozitave të transferueshme në lekë, me rreth 46.0 për qind, ndjekur nga korporata të tjera jofinanciare, me rreth 36.6 për qind dhe nga korporata publike jofinanciare, me 15.1 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektorë të tjerë rezident dhe korporata të tjera jofinanciare ishin gjithashtu burimi më i rëndësishëm i depozitave në monedhë të huaj, me rreth 78.4 për qind dhe rreth 17.6 për qind. Sektorë të tjerë rezident ishin dukshëm burimi më i rëndësishëm i depozitave të tjera në lekë me 94.5 për qind të totalit. Në përgjithësi, sektorë të tjerë rezident përbëjnë pjesën më të madhe me rreth 509 miliardë të depozitave totale, prej rreth 613 miliardë lekë që ishin në muajin maj të 2008-s. Ata ndiqen nga “korporata të tjera jofinanciare” me një shifër prej 79 miliardë dhe “Qeveria lokale” me rreth 1.1 miliardë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›