E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sillni projektligjin për tokat djerrë



Kryeministri i kërkon Ministrisë së Bujqësisë të hartojë shpejt ligjin për tokat e papunuara


Tokat e lëna djerrë kanë qenë sërish argument i mbledhjes së djeshmë të Këshillit të Ministrave. Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrisë së Bujqësisë të sjellë sa më shpejt për miratim projektligjin që parashikon dhënien e tokës së papunuar me të dhjetë.
"Toka që lihet pa punuar, degradohet, çka është e palejueshme, ndaj dhe ligji duhet t'i japë fund situatës së papranueshme me tokat e papunuara",- tha Berisha.

Në fillim të këtij muaji, kryeministri deklaroi qëndrimin zyrtar të qeverisë ndaj tokave të lëna djerrë. Sipas tij, këto toka do të kalojnë në fondin e komunave dhe ajo nëpërmjet formulave të përcaktuara në ligj do t'ua japë atyre që kërkojnë t'i punojnë, ndërsa pronarët e tyre do të përfitojnë të dhjetën e prodhimit. Ligji do të prekë të gjithë ata që kanë përfituar nga ligji 7501 dhe që nuk e punojnë tokën. Vetë kryeministri tha se ligji i ri nuk parashikon tjetërsimin e pronësisë mbi tokën por ajo do të kalojë në fondin e komunës dhe mbi bazën e ligjit do të jetë i detyruar ta japë me të dhjetë.


Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, para disa ditësh deklaroi se tokat e lëna djerrë janë një fenomen në zonat e minoritetit, Kurbinit, por edhe në zona të caktuara të Ultësirës Perëndimore. Tokat e lëna djerrë zënë 10 për qind të sipërfaqes në të gjithë vendin. Ai deklaroi se një pjesë e pronarëve të tokave janë të angazhuar në aktivitete bujqësore që janë më fitimprurëse, dhe një pjesë preferojnë që tokat e tyre t'i vënë në procesin e shitjes që kompanitë e ndërtimit, kompanitë e industrialistëve, investitorëve, synojnë t'i marrin për të investuar. Por fermerët e kanë pritur me rezerva nismën e qeverisë, duke e cilësuar si të pamundur zbatimin e saj. Ata kërkojnë ndihmë financiare nga qeveria, si nxitje për punimin e tokës.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›