E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalaja: Borgjezia e re e pushtetit, po zhvat pronat e sindikatave

21/08/2009  Reagim i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, ka reaguar dje kundër vendimit të qeverisë “Berisha” për konfiskimin e pronave ligjore të sindikatave. Ai e ka cilësuar këtë akt, si një goditje të paramenduar, që qeveria po organizon ndaj tyre. Kalaja thekson se problemi nuk ka lidhje thjeshtë me pronat, por me asfiksimin e lëvizjes sindikale, si forcë oponente social-ekonomike ndaj qeverisjes. “Pronat e sindikatës janë ligjore. I paligjshëm dhe i qëllimshëm përballë nesh dhe opinionit shqiptar është qëndrimi i fundit i qeverisë, për t’i zhvatur këto prona me një vendim arbitrar e anti-kushtetues, duke realizuar kështu, synimin e përhershëm për të shkatërruar përfundimisht lëvizjen sindikale shqiptare dhe konkretisht BSPSH, këtë forcë aktive, që përmbysi komunizmin me grevën e urisë të minatorëve të Valiasit në vitin 1991 dhe me protestat mbarëkombëtare të organizuara prej punonjësve në të gjithë vendin”, thekson Kalaja. Sipas tij, sindikata e Pavarur Shqiptare i ka përfituar pronat me ligj dhe i përkasin vetëm asaj, që nga pronësia e deri tek administrimi. “Ky vendim i qeverisë, ndërsa dekorin e justifikon me gjoja konsolidimin e turizmit në zonat ku ndodhen pronat ligjore të sindikatës, përmbajtja e tij ka lidhje me zhvatjen e tyre prej njerëzve të lartë në politikë e në pushtet, që i kanë piketuar këto prona, për t’i bërë pronësi të tyre, ose më saktë, siç shprehet Kryeministri Berisha do të administrohen e më pas kuptohet, që do të blihen për “një copë bukë” prej “borgjezisë së re”, e cila përbëhet as nga anëtarët e sindikatës dhe as punëtorët shqiptarë, por nga grupe interesash ekonomike-financiare brenda pushtetit, të cilat nuk ka më asnjë dyshim, që kanë aq fuqi, sa të komandojnë edhe aktet vendimmarrëse të qeverisë e të shtetit”, nënvizoi Kalaja.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare bëri të ditur se do të mbledh ditën e hënë Këshillin Kombëtar, duke u pozicionuar ashpërsisht në mbrojtje të pronësisë së saj, “që vetëm 24 orë më parë u shpall prej kreut të qeverisë Sali Berisha, se është bërë objekt grabitjeje e jo menaxhimi, duke përdorur skemat mafioze të krijimit të gjoja shoqërive aksionere. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura shqiptare, shprehet zoti Kalaja, do t’i kundërvihet këtij vendimi arbitrar e grabitqar të pushtetit, që synon shkatërrimin edhe ekonomikisht të lëvizjes sindikale, organizuar sistematikisht prej pushteteve politike në Shqipëri, ashtu siç është vepruar përgjatë këtyre 18 viteve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›