E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Rritja ekonomike 0-1%, mos shtoni pagat e pensionet

 

Fabiola Çela

Kriza globale ka prekur dhe ekonominë shqiptare dhe për rrjedhojë rritja e ekonomike për këtë vit do të jetë më e ulët se parashikimi i bërë nga qeveria dhe nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Nëse në fund të vitit 2008 FMN parashikoi se rritja ekonomike për këtë vit do jetë 3.5 për qind, në situatën e tanishme, FMN parashikon se rritja ekonomike do të jetë 0-1 për qind, parashikim ky goxha i zymtë për ekonominë shqiptare. Në deklaratën e tij, shefi i misionit të FMN-së ka dhënë edhe një sërë rekomandimesh për qeverinë shqiptare. Por nuk ka ndarë të njëjtin mendim me të kreu i financave Bode.
Kriza
Sipas shefit të misionit të FMN-së, Gerwin Bell, rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë nga 0 në 1 % ndryshe, nga çka parashikuar qeveria. Bell theksoi se situata në vend mbetet ende e paqartë ndërsa ka dhënë disa rekomandime për përballimin e krizës. Madje ai ka këshilluar qeverinë të ketë kujdes me rritjen e pagave dhe pensioneve dhe të mos ulë nivelin e sigurimeve shoqërore.
Sipas tij, efektet e krizës janë shfaqur dhe do pasqyrohen në uljen e nivelit të kreditimit nga bankat, uljen e dërgesave dhe ulje të eksporteve. Kreu i financave ka treguar edhe njëherë se qeveria shqiptare ka vendosur të ulë nivelin e sigurimeve shoqërore, si dhe të rrisë pagat dhe pensionet, duke nisur nga muaji maj. Madje, sipas Ministrit të Financave, qeveria do të përdorë fondin e kontigjencës në rast rreziku nga kriza. “Do të konfirmoj se qeveria do të vijojë të mbajë kontigjenca të mëdha në buxhetin e shtetit për të përballuar risqe të mundshme, qoftë riskun e të ardhurave, qoftë dhe risqe të tjera të mundshme që mund të vijnë nga presioni i krizës ndërkombëtare në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ne, përveç shumës 20 miliardë lekë të reja, 2% të PBB-së që kemi në kontigjenca, mendojmë që të destinohet tërësisht për të garantuar stabilitetin në perspektivë dhe për të mënjanuar risqe e mundshme financiare dhe ekonomike. Edhe të ardhurat që do të vijnë nga privatizimet, shuma e të cilëve përllogaritet sipas shumave të kontraktuara, rreth 260 milionë euro, dhe do të jemi këmbëngulës dhe të shpejtë në kontraktimin e kredisë që do të merret në tregun bankar ndërkombëtar, për ta  bërë të mundur që të jetë disponibël në mes të muajit maj”, ka deklaruar Bode. Sipas tij, përballë presioneve të krizës ndërkombëtare, qeveria të mbajë një qëndrim proaktiv.  “Jo vetëm të mbajë kontigjenca të larta, të cilat shkojnë deri në rreth 5% të PBB-së, por të mund të përdorë pjesë të këtyre kontigjencave për të qenë aktivë në mbështetje të përpjekjeve për të mos u prekur nga kriza. Mendojmë që të veprohet në dy drejtime, së pari në nxitjen e kërkesës përmes politikës tashmë të deklaruar të rritjes së pagave dhe pensioneve dhe së dyti, përmes një mbështetjeje në anën e ofertës, uljes me rreth 5 pikë përqindjeje të kontributit shoqëror, taksës së punës që paguajnë kompanitë”, ka deklaruar Ministri i Financave Ridvan Bode. Pavarësisht deklaratës së kreut të FMN-së, se në Shqipëri kanë nisur të dallohen shenjat e krizës, për ministrin Bode një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. “Rripat e sigurisë janë të mjaftueshëm dhe do të thosha që në vitin 2009 risqet e mundshme janë shumë të limituara. Ajo që unë jam dakord dhe që duhet të programojmë në mënyrë më të matur, është buxheti i vitit 2010 dhe në vijimësi, në varësi kjo edhe me zgjatjen e krizës botërore, e cila ende nuk ka dhënë shenja, qoftë edhe të ndonjë vendi në veçanti për daljen nga kriza. Pra nuk bëhet ende fjalë për dalje nga kriza por bëhet fjalë për denatyrim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike të vendeve të mëdha”, ka thënë Bode.

Fullani: Ulja e deficitit nga rialokimi i shpenzimeve

“Ngadalësimi i ritmit të rritjes ekonomike në vitin 2009, e bën të vështirë realizimin e treguesve të politikës fiskale në përputhje me parashikimet e fundit të vitit 2008”, është shprehur dje kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas tij, zhvillimet në tregtinë e jashtme do të ndikojnë në rënien e grumbullimit të të ardhurave buxhetore, ndërkohë që shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi ndikon negativisht në mundësitë e sektorit bankar për të financuar deficitin buxhetor. Fullani ka theksuar se në mënyrë që të realizohet objektivi për nivelin e deficitit buxhetor, është i domosdoshëm rialokimi i shpenzimeve publike sipas rëndësisë, në masën e nevojshme dhe përgjatë gjithë vitit financiar. “Në terma praktikë, kjo do të thotë që aty ku është e mundur, të bëhen të gjitha përpjekjet për të ruajtur burimet e të ardhurave, për të gjetur burime alternative financimi, për të shtyrë në kohë shpenzimet jo urgjente, për të ripërcaktuar shpenzimet e planifikuara për këtë vit dhe që janë ende të pakontraktuara ose të pakryera”, ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›