Shërbime sociale BB jep 5 milionë USD
Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore kanë nënshkruar dje marrëveshjen e kredisë për financimin shtesë për Projektin e Shpërndarjes së Shërbimeve Sociale në Shqipëri. Bëhet fjalë për një kredi prej 5 milionë dollarësh. Ky financim synon rritjen e eficencës dhe efektivitetit të sistemit të pensioneve në Shqipëri, përmes përmirësimit të administratës së këtij sistemi, forcimit të kapaciteteve institucionale që përfshijnë rritjen e kapaciteteve për zhvillimin e politikave të pensioneve etj. “Aktivitetet që do të mbulojë ky financim, - tha Camille Nuamah, përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, - do të mbështesin reformën administrative të sistemit të pensioneve, ngritjen e Arkivës Qendrore të Kontribuesve dhe përfituesve, krijimin e kapaciteteve për politikat e zhvillimit të pensioneve, si dhe edukimin publik mbi sistemin e pensioneve”. Projekti ka filluar të zbatohet në janar 2002, duke pasur si objektiv kryesor përmirësimin e standardeve të jetesës së të varfërve dhe grupeve vulnerabël të popullsisë në Shqipëri, përmes rritjes së aksesit të tyre në shërbimet efektive të përkujdesit social.