E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Shqipëria do të ketë valë të re të rritjes së çmimeve

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se sektori energjetik do të vazhdojë të humbasë para, rreziqet ndaj buxhetit do të rriten, kurse furnizimet me energji mbeten të paqëndrueshme

Bordi ekzekutiv i FMN-së në një mbledhje të mbajtur pak ditë më parë në Uashington për analizën e pestë të performancës ekonomike dhe financiare të Shqipërisë, sipas marrëveshjes trevjeçare “Reduktimi i varfërisë dhe lehtësimi i rritjes” (PRGF) dhe (EFF), paralajmëroi se shqiptarët do të përballen me rritje të lartë të çmimeve. Situata globale e rritjes së lartë të çmimeve pritet që shumë shpejt të përcillet në vendin tonë, pasi importet janë në nivele të larta. Po ashtu, bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar kritikoi sërish KESH-in për problemet e energjisë elektrike, duke i cilësuar reformat në këtë sektor të papërfunduara dhe të rrezikshme për buxhetin. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, thelbi i problemit mbetet niveli i ulët i arkëtimit, situatë kjo jo vetëm që rrezikon buxhetin, por edhe procesin e privatizimit.

Ka qenë Murilo Portugal, zëvendësdrejtori i menaxhimit dhe kryetari, i cili në deklaratën e tij ka paralajmëruar rritjen e rreziqeve ekonomike në vend. Në këto kushte, FMN-ja kërkon që qeveria të rrisë politikat mbështetëse ndaj biznesit, të zgjidhë çështjen e pronësisë dhe të vazhdojë reformën në drejtësi. Drejtuesi i lartë i FMN-së ka pohuar se Shqipëria do të preket nga një valë e re e rritjes së çmimeve. “Rritja ekonomike pritet të qëndrojë në nivelin 6 për qind për këtë vit, me inflacionin poshtë 4 përqindëshit, por rreziqet janë rritur. Rritja globale e çmimeve, veçanërisht të ushqimeve, mund të bëjë presion në çmimet e tregut të brendshëm në një periudhë të shkurtër kohe. Ndërsa në një periudhë afatmesme, rritja e produktivitetit si pasojë e investimeve do të duhet të ruajë ritmin e rritjes dhe të zgjerojë bazën e eksporteve”, ka thënë Portugal në deklaratën e dhënë pas mbledhjes së bordit. Po ashtu, sipas FMN-së, kjo gjë ka nevojë për përmirësimin e klimës së biznesit, veçanërisht në fushat e qeverisjes, gjyqësorit dhe pronësisë së tokës.

KESH-i vazhdon të humbasë para dhe po vë në rrezik privatizimin

Sektori energjetik vazhdon të jetë sipas FMN-së, problemi kryesor për ekonominë shqiptare. Pavarësisht se Fondi Monetar gjithmonë ka qenë skeptik ndaj situatës energjetike, kësaj radhe deklaratat e këtij të fundit mund të cilësohen më shumë se të ashpra. Sipas FMN-së, pavarësisht progresit të bërë këtë vit, reformat në sektorin elektroenergjetik mbeten të papërfunduara, me një kosto të konsiderueshme ekonomike. “Thelbi i problemit mbetet mospagesa e energjisë së përdorur, ku niveli i të ardhurave nga mbledhja efektive rreth 50 për qind mbetet i ulët krahasuar me atë rajonal prej 75 për qindësh. Pa progres në këtë fushë, ky sektor do të vazhdojë të humbasë para, rreziqet ndaj buxhetit do të rriten, furnizimet me energji ndaj ekonomisë mbeten të paqëndrueshme dhe privatizimi i sektorit do të bëhet më i vështirë”, - tha Protugal.

Kujdes me kreditë

Shqetësim tjetër i ngritur nga FMN-ja është kreditimi i lartë, i cili po vë në rrezik ekonominë. Kapaciteti rregullator dhe supervizor ka nevojë që të vazhdojë me ritmin e zhvillimeve në sektorin bankar. Ky i fundit duket i ekspozuar paksa drejt trazirave financiare globale aktuale. Për më shumë, zhvillimi i tij i shpejtë ka kontribuar në mënyrë domethënëse ndaj zhvillimit ekonomik. Megjithatë, përballë rritjes ende të shpejtë të kreditimit të ekonomisë, kërkohet kujdes dhe përshtatje e rregullave, për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar. Në këtë kuadër, prioriteti imediat qëndron në përmirësimin e bashkëpunimit të mbikëqyrjes së pikave të kalimit kufitar, planifikimi i kontingjencave dhe ekzekutimi i kolateralit. Plani fiskal afatmesëm i programit konsiston në uljen e inflacionit, qëndrueshmërinë e borxhit dhe modelin e autoriteteve për një qeveri të vogël eficiente. Ky plan pritet të reduktojë borxhin deri në 50 për qind të GDP-së brenda vitit 2011. Kombinuar me strategjinë ekzistuese të autoriteteve për limitimin e aktiviteteve qeveritare aty ku është e mundur, plani fiskal afatmesëm pritet të kënaqë nevojat për zhvillim ende të konsiderueshëm të Shqipërisë, ndërsa do të përkrahë stabilitetin makroekonomik. Autoritetet kanë si objektiv të miratojnë një rregull fiskal për t’i udhëhequr në këtë drejtim. 

Rreziqet e ekonomisë shqiptare sipas FMN:

-Rritja ekonomike pritet të qëndrojë në 6 për qind për këtë vit, me inflacionin poshtë 4 për qind, por rreziqet në ekonomi janë rritur

-Rritja globale e çmimeve, veçanërisht e ushqimeve, mund të bëjë presion në çmimet e tregut të brendshëm në një periudhë të shkurtër kohe. Ndërsa në një periudhë afatmesme, rritja e produktivitetit si pasojë e investimeve do të duhet të ruajë ritmin e rritjes dhe të zgjerojë bazën e eksporteve

-Shqipëria ka nevojë për përmirësimin e klimës së biznesit, veçanërisht në fushat e qeverisjes, gjyqësorit dhe pronësisë së tokës

-Thelbi i problemit në sektorin energjetik mbetet mospagesa e energjisë së përdorur. Niveli i të ardhurave nga mbledhja efektive rreth 50 për qind  mbetet i ulët krahasuar me atë rajonal, prej 75 për qindësh. Pa progres në këtë fushë, ky sektor do të vazhdojë të humbasë para, rreziqet ndaj buxhetit do të rriten, furnizimet me energji ndaj ekonomisë mbeten të paqëndrueshme dhe privatizimi i sektorit do të bëhet më i vështirë

-Përballë rritjes ende të shpejtë të kreditimit të ekonomisë, kërkohet kujdes dhe përshtatje e rregullave, për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar. Në këtë kuadër, prioriteti imediat qëndron në përmirësimin e bashkëpunimit të mbikëqyrjes së pikave të kalimit kufitar, planifikimi i kontingjencave dhe ekzekutimi i kolateralit.

FMN, 4 milionë dollarë për Shqipërinë

Përfundimi i analizës ekonomike mundësoi dhënien e një shume prej 4 milionë dollarësh, që do të çojë totalin e rimbursimeve ndaj Shqipërisë sipas të dyja marrëveshjeve, në 23.9 milionë dollarë. Marrëveshjet trevjeçare konkurruese nën PRGF dhe EFF, që u shtohen 27.9 milionë dollarëve, u aprovuan nga 1 shkurti 2006. Bordi ekzekutiv aprovoi gjithashtu një kërkesë për modifikim të tre kritereve të performancës në fund të shtatorit 2008, që kanë lidhje me neton e rezervave ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, aseteve të brendshme dhe neton e kreditimit të brendshëm ndaj qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›