E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i spiunëve, i lamë kohë opozitës

Autori i Lajmit: red.
Kërkesat e opozitës janë shkaku i mosmiratimit të ligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Ky arsyetim është përdorur dje nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli si arsyeja e vetme që ky projektligj vazhdon të qëndrojë në sirtarët e Kuvendit. “Në seancat e mëparshme, opozita ka kërkuar kohë. Mendoj, që kur opozita kërkon kohë, mirë është që t’i jepet kohë. Uroj që kohën e kërkuar ta përdorë në mënyrë që të marrë vendimin e duhur, për t’u ndarë nga e kaluara e tyre e rëndë, shumë e rëndë”, - theksoi dje Topalli. Përsa i përket reformës zgjedhore ajo tha se është bërë mjaft punë në këtë drejtim. Sipas kryeparlamentares, tashmë janë vendosur baza shumë të mira në këtë drejtim. Ndërkohë që një tjetër çështje e mbetur për tu përfunduar në sesionin e ri është ajo në drejtësi. Topalli deklaroi se kjo reformë është në proces. Ajo u shpreh se sesioni i ri do të bëjë të mundur, që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plotë e NATO-s. “Ndaj dhe jam shumë krenare për bilancin e parlamentarizmit të këtyre viteve, se është e gjithë puna e këtij Parlamenti me mbështetjen që i dha reformave, që bëri gati Shqipërinë, jo vetëm për të marrë ftesën në NATO, por me optimizëm të madh, me shumë entuziazëm, për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s, për t’u ulur në tryezën e aleatëve tanë më të mëdhenj”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 30/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›