E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Parlamenti mbyll sesionin e konsensusit”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ky është 6-mujori i konsensusit, ku natyrisht kulmor dhe historik mbetet reforma kushtetuese e cila hoqi nenet e krizave, ndryshoi sistemin zgjedhor, ndau Shqipërinë nga ‘Dushku’, mori hapa të rëndësishme për të ndarë Shqipërinë nga e shkuara e saj e hidhur”

Sesioni parlamentar i cili u mbyll ditën e hënë është quajtur si një sukses historik nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo pohoi dje se ky sesion mund të quhet dhe sesioni i suksesit. Duke bërë përmbledhjen e një pune 6-mujore, Topalli tha se gjatë kësaj kohe janë zhvilluar 49 seanca plenare, 116 ligje të miratuara, mes tyre ndryshimet kushtetuese, buxhetet dhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit. Sipas kryeparlamentares, miratimi i ndryshimeve në Kushtetutën e vendit ka eleminuar nenet e krizës dhe ka ndarë vendin nga sistemi i ‘Dushkut’. Por sipas saj, po kaq i rëndësishëm ishte dhe konsensusi i arritur për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Sipas saj në këtë 6 mujor Parlamenti ka forcuar rolin e tij dhe për rrjedhojë është forcuar shumë dhe roli i çdo deputeti dhe kryetares. Lidhur me çështje të mbetura pezull si reforma zgjedhore apo reforma në drejtësi, kryeparlamentarja tha se ato janë në proces.
Deklarata
“Ky është 6-mujori i konsensusit, ku natyrisht kulmor dhe historik mbetet reforma kushtetuese e cila hoqi nenet e krizave, ndryshoi sistemin zgjedhor, ndau Shqipërinë nga ‘Dushku’, mori hapa të rëndësishme për të ndarë Shqipërinë nga e shkuara e saj e hidhur”, - tha dje Topalli duke bërë një përmbledhje të punës 6-mujore të Kuvendit. Ajo e cilësoi reformën kushtetuese si një reformë që forcon themelet e shtetit, të parlamentarizmit dhe të stabilitetit politik. Topalli vlerësoi edhe konsensusin që treguan forcat kryesore politike për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, duke shtuar se ky sesion ka qenë ndër sesionet parlamentare më të ngjeshur me aktivitete të shumëfishta, që janë zhvilluar çdo ditë me vendime të shumta politike e institucionale, me një volum të madh pune shumëdimensional. Kryetarja e Kuvendit theksoi se këto 6 muaj, me diplomacinë parlamentare, Kuvendi u shndërrua në një avokat të fortë dhe faktor kryesor të integrimit në institucionet euro-atlantike dhe i bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar shumë intensive. Ndërkohë që një tjetër objektiv të arritur të Parlamentit, Topalli vlerësoi transparencën. “Kjo ka qenë ndër objektivat e mia personale dhe më bën të ndihem mirë fakti që Parlamenti është bërë më transparent se kurrë”, - tha ajo. Kryeparlamentarja u ndal dhe në arritjet e deritanishme të qeverisë Berisha, kryesisht në buxhetin suplementar që u miratua nga Kuvendi për të tretin vit radhazi, gjë e cila sipas saj ka bërë të mundur shtimin e një fondi prej 300 milionë dollarësh, të cilat do të përdoren kryesisht në infrastrukturë, kanalizime, ujësjellësa, shkolla, për rritje rrogash e pensionesh etj. Topalli falenderoi gazetarët dhe mediat që kanë transmetuar mbi 200 orë debate si dhe të gjithë deputetët që mbështetën reformat të cilat sipas saj bënë që në Republikën Parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë të jetë qendra e vendimeve të mëdha.

Puna e Kuvendit në 6 muaj
49 seanca plenare publike
116 ligje të miratura
6 akte normative të miratuara
57 vendime të marra
13 seanca dëgjimore parlamentare e raportime me institucione të ndryshme

Ky lajm është publikuar: 30/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›