E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Shqipëria, me borxhin e jashtëm më të ulët në rajon

SHKRUAN: Sabina Veizaj 22-12-2011 12:35

Raporti i muajit dhjetor i Fondit Monetar Ndërkombëtar citon se Shqipëria e ka përballuar mjaft mirë recensionin e vendeve të eurozonës dhe krizën globale në tërësi, duke arritur të ketë borxhin e jashtëm më të ulët në grupin e 6 vendeve të rajonit.

Fondi Monetar ndërkombëtar thekson në raportin e tij më të fundit të fillimdhjetorit se Shqipëria e ka përballuar mjaft mirë krizën ekonomiko-financiare globale dhe recensionin e vendeve fqinje të eurozonës, duke rezultuar me borxhin e jashtëm më të ulët në 6 vendet e rajonit, të cilin ka aftësi të mira rifinancuese. Në raportin e përpiluar nga tre ekspertët italianë të FMN-së; Emidio Cocozza, Andrea Colabella, dhe Francesco Spadafora, theksohet se 6 vendet e rajonit po i ndjejnë dukshëm efektet e krizës globale, por mbi të gjitha financimin e borxheve. Duke iu referuar raportit, ai citon se në 2008-ën, borxhi i jashtëm ka qenë përgjithësisht i lartë në të 6 vendet e Europës Juglindore, dhe veçanërisht në Kroaci, Malin e Zi, dhe me vetëpërmbajtje më të pakët në Serbi, e cila ka rritur borxhin e saj të jashtëm. Sipas raportit të FMN-së, në Malin e Zi borxhi publik i jashtëm ishte relativisht i ulët në 2006-ën, 25 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe u ul më tej 14 % në 2008-ën. Në të kundërt, borxhi privat i jashtëm është ngritur me shpejtësi që nga 2006-ta, nga 35 % e PBB në 60 % në 2008-ën. Në Kroaci, borxhi i jashtëm arriti në 80 % të PBB në prag të 2007-ës, 15 pikë përqindje më shumë se në 2005. Në Shqipëri, borxhi i jashtëm u rrit nga 7 pikë përqindje e PBB gjatë periudhës 2005-2008, por megjithatë mbetet vendi me borxhin e jashtëm më të ulët në grup. Duke iu referuar statistikave të FMN-së për vitin 2010, Shqipëria rezulton me borxhin e jashtëm më të ulët në 6 vendet e rajonit me 36,6% të PBB, e pasuar nga Bosnje- Hercegovina me 56,9 %, duke u ndjekur nga Maqedonia me 59 % të PBB, pastaj Serbia e cila e pati në 2010-ën borxhin e jashtëm 83,1 % të PBB-së, Mali i Zi me 100,2 % dhe më pas vjen Kroacia me borxhin e jashtëm prej 102,1 % të PBB. Efektet e krizës, raporti i konstaton në rënien e nivelit të eksporteve dhe rritjen e borxhit të jashtëm duke iu afruar kufirit zyrtar 60% te PBB. Si rekomandim për Shqipërinë, FMN parashtron që brenda 2013-ës të reduktoje borxhin në 50% të prodhimit të brendshëm bruto. Raporti, duke analizuar situatën ekonomike në Shqipëri, vë re se Shqipëria e përballoi recensionin në 2009 edhe si pasojë e një politike të kujdesshme fiskale dhe besimit të investitorëve. Raporti citon se shumë shpejt edhe Shqipëria e Kroacia mund të ndjekin shembullin e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, duke marrë masa drastike për shkurtimin e shpenzimeve dhe shtim të taksave. “Referuar raportit, luhatjet e kursit të këmbimit nuk ishin të forta dhe brenda kuadrit ligjor të inflacionit”, citon Raporti. Bankat vijuan kreditimin e ekonomisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar e cilëson Shqipërinë si një vend të besueshëm për investitorët e huaj, por thekson se në vitin 2007, Shqipëria regjistroi nivele shumë të larta të deficitit tregtar dhe borxhit publik.

Borxhi i jashtëm në gjashtë vende të rajonit

Vendet 2010

Shqipëria 36.6 %

Bosnje-Hercegovina 56.9 %

Kroacia 102.1 %

Maqedonia 59.0 %

Mali i Zi 100.2 %

Serbia 83.1 %

(përqindja e borxhit të jashtëm në % të PBB)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›