Pollo: Brenda shkurtit licencohet operatori i tretë 3G
Shqipëria do të ketë edhe operatorin e tretë të teknologjisë 3G. Ministri i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo bëri dje të ditur se gara do të çelet në ditët e ardhshme, për të shpejtuar liberalizimin e këtij tregu dhe për të ulur çmimet. Shqipëria ka aktualisht dy operatorë të licencuar në rrjetin e shërbimeve 3G. Në nëntor të vitit të kaluar, Vodafone Albania fitoi garën për licencën e parë për 31.4 milionë euro, ndërsa në shtator të këtij viti AMC fitoi licencën e dytë për 15.1 milionë euro. Por AMC, ende nuk ka nisur ofrimin e shërbimeve të mbështetura në këtë teknologji. Ende në treg vepron një operator i vetëm dhe çmimet të jenë shumë të larta. Brezi i transmetimit UMTS ose gjenerata e tretë e shërbimeve celulare mundëson transmetim të dhënash deri në 16 megabit për sekondë, dhjetë herë më shumë se brezi tradicional GSM. Ky kapacitet transmetimi mundëson ofrimin e internetit me brez të gjerë përmes rrjetit celular, si edhe ofrimin e shërbimeve shtesë, si thirrjet video. Buxheti i shtetit ka arkëtuar 46 milionë euro nga shitja e dy licencave 3G dy vitet e fundit, ndërsa pritet që edhe e treta licencë të jepet nëpërmjet garës. Mirëpo shuma e përfituar nga dhënia e kësaj leje pritet të jetë shumë më e vogël. Brezi i frekuencave 3G konsiderohet një pasuri kombëtare dhe dhënia e saj jepet kundrejt një vlerë monetare. E leja e katërt dhe e fundit pritet të akordohet direkt pasi nuk mund të ketë garë, por gjithsesi ajo do të ketë një vlerë minimale, e cila do të bëhet e njohur gjatë vitit që vjen. Kështu, ofrimi i shërbimeve 3G do të sjellë internet me brez të gjerë, shërbimet multimediale, video-konferencat, TV dhe transmetime të dhënash në përgjithësi. Në këtë rast, kushdo që ka një terminal inteligjent si një HiTech phone, Ipad ose Laptop, do të jetë në gjendje që në çdo skaj të vendit, në qëndrim ose në lëvizje, të jetë në kontakt të pandërprerë me botën e internetit dhe shërbimet që ofron ai. Kjo do ketë efekte të drejtpërdrejta në nivelin e menaxhimit të shumë aktiviteteve, të cilat nëpërmjet internetit do të kryhen në një formë krejtësisht të re.
Vodafone Albania fitoi garën për licencën e parë për 31.4 milionë euro, ndërsa në shtator të këtij viti AMC fitoi licencën e dytë për 15.1 milionë euro. Por AMC, ende nuk ka nisur ofrimin e shërbimeve të mbështetura në këtë teknologji. Ende në treg vepron një operator i vetëm dhe çmimet vijojnë të jenë shumë të larta.