E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, 82 mln euro për reformat në Shqipëri

Komisioni Europian ka aprovuar paketën e programit të ndihmës për të mbështetur reformat e vendeve që dëshirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Lajmi është bërë i ditur dje nga agjencia e lajmeve italiane ANSA. Financimi, që arrin nivelin e afërsisht 1 miliardë eurove, vjen nga buxheti i vitit 2011, i instrumentit të paraaderimit (Ipa), i fokusuar drejt vendeve të Ballkanit dhe veçanërisht Serbisë, gjithashtu Turqisë dhe Islandës. Shqipëria përfiton nga ky program në drejtim të përmbushjes së reformave 82 mln euro. “Gjithë këto programe, - konfirmon Stefan Fule, komisioneri për Zgjerimin e BE-së, – janë programuar për të pasur rezultate konkrete për një administratë publike më të mirë, një sistem drejtësie më eficient, një ekonomi të qëndrueshme dhe një mjedis të sigurt. Bëhet fjalë për një lajm të mirë për vendet që dëshirojnë të aderojnë në Bashkimin Europian: përballemi me sfida të përbashkëta që nuk ndalin në kufijtë e Europës dhe duhet t’i përballojmë së bashku''. Këtë vit, një objektiv i veçantë i burimeve i referohet qeverisjes, me projekte që synojnë forcimin e administratës, një përdorim më eficient të ndihmave europiane, adoptimin dhe zbatimin e standardeve të BE-së, mbështetje të mëtejshme të reformave administrative, por edhe për drejtësinë dhe të drejtat themelore, duke vazhduar me mbështetjen në fushën e luftës kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar. Fondet e dhëna për shtetet përkatëse janë ndarë:: Shqipëria: 82 mln euro, Bosnje-Hercegovina: 91 mln, Kroacia: 39 mln, Maqedonia: 28,9 mln, Islanda: 12 mln, Kosova: 62,9 mln, Mali i Zi: 26,5 mln, Serbia: 178,5 mln, Turqia: 233 mln. Programet me më shumë përfitime: 210 mln.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›