E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria pezullon me ligj emërimet e reja në administratë më 2012

SHKRUAN: Blerina Hoxha 22-12-2011 12:32

Në nenin 11 të buxhetit të shtetit të vitit 2012 përcaktohet se “për vitin 2012 nuk do të miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit”

Qeveria ka pezulluar me ligj të gjitha emërimet e reja në administratë, duke përfshirë të gjitha institucionet buxhetore. Në nenin 11 të buxhetit të shtetit të vitit 2012 përcaktohet se për vitin 2012 nuk do të miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja të krijuara me ligj”. Më ndryshimet buxhetore që u bënë në mes të vitit, pezullimi i emërimeve të reja ka qenë një VKM që shoqëronte ndryshimet në buxhet dhe që vlente deri në fund të këtij viti. Mirëpo ky vendim tashmë ka marrë formë të plotë ligjore, mbi të cilën nuk mund të dalë asnjë institucion. Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 88 640 veta nga 89 560 punonjës që janë aktualisht në administratë. Në bazë të këtij neni, Këshilli i Ministrave mund të rialokojë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve, në rastin e ristrukturimit të tyre apo krijimit të institucioneve të reja, por pa shtuar numrin e tyre. Qeveria ka parashikuar fonde për pagesën e rreth 74 personave që përfshihen në numrin e përgjithshëm prej 89 560 punonjës, të cilët parashikohet të aktivizohen në rast se paraqitet nevoja për krijimin e ndonjë institucioni apo agjencie të re. Po sipas nenit 11 të buxhetit, Këshilli i Ministrave përcakton numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror. Fondi i veçantë i institucioneve buxhetore prej 1 931 milionë lekësh shpërndahet dhe përdoret me miratimin e ministrit të Financave dhe sipas procedurave që përcaktohen me udhëzim të tij. Kështu, në bazë të skemës së re të administratës numri i punonjësve buxhetorë do të reduktohet me 1345 persona gjatë vitit 2012. Ministria e Financave argumenton se shpenzimet e personelit për vitin 2012 që janë bazuar në një politikë që synon rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të burimeve njerëzore, parashikohen të ulen në terma realë nga 5.2% e PBB në 2011, në 5.1% e PBB në 2012-ën. Më konkretisht, kjo ulje ka ardhur si pasojë e reformave që parashikohen të kryhen në disa sektorë si: reduktimi i numrit të efektivave ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat ulin në këtë mënyrë numrin e përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2012. Ndërsa organigrama e re e qeverisë, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 janari i vitit 2012, pritet t’i kursejë Ministrisë së Financave nga fondi i pagave për personelin rreth 150 milionë lekë ose rreth 1 milion euro. Ligji i ri për kriteret e funksionimit të administratës është miratuar në mesin e këtij viti, por implementimi do të kryhet në vitin 2012. Ministria e Financave ka llogaritur që nga kjo reformë, buxhetit të shtetit t’i kursehen rreth 150 milionë lekë vetëm në vitin e parë të aplikimit të saj. Burimet në Ministrinë e Financave bëjnë të ditur se Departamenti i Administratës Publike është duke rishikuar strukturën e re të qeverisë në përputhje me ligjin e ri, që parashikon një mënyrë krejt të re funksionimi të punonjësve të shtetit dhe për rrjedhojë edhe ekonomizimin e shpenzimeve të personelit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›