FMN: Shqipëria “parajsa” e pastrimit të parave
Mundësitë për të pastruar para në Shqipëri janë të mëdha për shkak se ekonomia e vendit është informale dhe e bazuar në transaksionet cash. Një raport i fundit i FMN i botuar në saitin zyrtar për Shqipërinë vëren hollësira për mënyrën se si pastrohen paratë në vendin tonë. Sipas Fondit, lehtësira më të mëdha për pastrimin e parave paraqiten më së shumti në agjencitë imobilare, kazinotë dhe sipërmarrjet private. Gjithashtu pastrimi i parave bëhet edhe në transportimin e parave cash jashtë vendit, ku është i përfshirë edhe sistemi financiar i vendit. Raporti vëren se, megjithëse në Shqipëri ka institucione dhe janë të licencuara aktivitete financiare, ende tregu i këmbimeve mbetet informal. Të tillë cilësohen kambistët që janë një mundësi e pastër për pastrimin e parave. Gjithashtu aktiviteti i kazinove konsiderohet një nga kanalet themelore ku pastrohen paratë në Shqipëri. Në këtë aktivitet ka një mospërputhje ndërmjet bazës ligjore për aktivitetin e kazinove dhe rekomandimeve ndërkombëtare për revokim licencash në rastet ku vërehet pastrimi i parave, thuhet në raport. FMN ka mësuar se në Shqipëri organizatat kriminale janë të përfshira në biznesin e lojërave të fatit, të cilat në shumë raste janë të dokumentuara. FMN vë në dukjen punën e madhe që është bërë në dixhitalizimin e pikave kufitare dhe sidomos porteve, por nga ana tjetër thekson se fenomeni i transportit të parave cash nëpër këto pika mbetet i lartë duke kaluar normat e lejuara të parashikuara në ligj. “Megjithëse në Shqipëri pastrimi i parave bëhet në shumë linja, autoritetet janë mbërthyer vetëm pas sistemit bankar, megjithëse ka përpjekje për të rritur vëzhgimet dhe kontrollin edhe në sektorët të tjerë të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni, noterët, gjyqtarët dhe avokatët të cilët fshehin origjinën e parave informale” thuhet në raportin e Fondit. Agjentët në agjencitë imobilare ose sipërmarrjet private të biznesit janë indentifikuar gjithashtu se janë potenciale të mëdha të pastrimit të parave. Evidencat tregojnë se ka një lidhje ndërmjet aktiviteteve të ndërtimit dhe krimit. FMN vëren se tregu i floririt dhe argjendarëve në tërësi në Shqipëri është në të zezë. Ky lloj tregu është një mundësi e madhe për pastrimin e parave. Pasi ka bërë një studim të hollësishëm në sektorët dhe mënyrat sesi pastrohen paratë në Shqipëri, FMN vëren se ekonomia informale dhe transaksionet në cash mbeten një problem i madh i Shqipërisë në drejtim të krijimit të ambientit për pastrimin e parave. Përdorimi i ekonomisë informale ka impakt në të gjithë aktivitetin e institucioneve për të parandaluar pastrimin e parave në Shqipëri. Parë në këtë aspekt, FMN vëren se Shqipëria paraqet një mundësi të lartë për financimin e terrorizmit. Mirëpo, sipas Fondit, qeveria shqiptare ka punuar mirë në këtë drejtim duke ngrirë në kohë disa nga llogaritë e terroristëve. FMN vëren gjithashtu se Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm hetimin financiar, ndërkohë që mbetet i nevojshëm forcimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor, për të krijuar mundësin e operacioneve të pavarura kundër pastrimit të parave. Ndërsa është vlerësuar pozitivisht bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë fushë. Në këtë drejtim ka një sërë marrëveshjesh që synojnë shkëmbimin e informacionit për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Lehtësira më të mëdha për pastrimin e parave paraqiten më së shumti në agjencitë imobilare, kazinotë dhe sipërmarrjet private
Metodat për pastrimin e parave
-Transkasionet nëpërmjet sektorit financiar
-Hapja e llogarive në banka për bamirësi ose në emrat e familjarëve
-Blerja e ose hyrja në bashkëpunim me biznese ligjore në kompanitë tregtare, të ndërtimit, shërbimeve, transportit etj.
-Hapjen e kompanive jashtë vendit
-Blerje të pasurive të paluajtshme, të tilla si toka, apartamente, hotele, restorante dhe pika karburanti
-Organizatat kriminale që veprojnë jashtë territorit të Shqipërisë bëjnë pastrim parash nëpërmjet disa aktiviteteve që kanë në Shqipëri
Mënyra të tjera janë
Injektimi i të ardhurave të paligjshme në aktivitete biznesi
Blerja e mallrave të luksit
Ekziston një strukturë transaksionesh ku aplikohet një fshehje e qëllimshme e fondeve dhe e të ardhurave.
Bilanci i luftës ndaj pastrimit të parave në 5 vitet e fundit
-Gjykatat kanë dhënë 9 vendime
-Janë konfiskuar 28 pasuri
-Vlera e konfiskimeve të pasurive arrin në 85 milionë lekë
.Bllokimi i llogarive në banka 2.6 milionë lekë
.Vlera e 13 automjeteve të bllokuara 6.8 milionë lekë
.Shtatë pasuri të bllokuara me vlerë mbi 75.9 milionë lekë
Konstatime dhe rekomandime
-Shqipëria ka bërë progres kundër pastrimit të parave, por risku pastrimin e parave të pista mbetet i lartë.
-Duhet më shumë përpjekje nga ana e autoriteteve për reduktimin e ekonomisë informale dhe transksioneve cash. Ekonomia informale mbetet një problem i madh në Shqipëri.
-Shqipëria mbetët një risk në lidhje me mundësitë e financimit të terrorizimit.
-Hetimi financiar është përmirësuar ndjeshëm, por ndërkohë duhet të forcohet më tej kuadri ligjor për të siguruar hetime të pavarura.
-Mbikëqyrja e organizatave joqeveritare dhe bizneseve jofinanciare mbetët i ulët.
-Është bërë një progres i madh për kontrollin e transportit të valutës në pikat kufitare, por deklarimet janë të ulëta.
-Ka organizata kriminale që kontrollojnë dhe përdorin aktivitete financiare për transportin e parave jashtë kufijve.