E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e ministrave, Berisha projekte për energjinë e hekurudhat

TIRANË Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje takime të veçanta me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj, dhe ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Fatmir Besimi. Në takimin me ministrin Beqaj u fol për kombinimin e burimeve natyrore të prodhimit të energjisë së të dy vendeve dhe lidhjen e sistemeve energjetike me qëllim unifikimin e tyre. Sipas Berishës, ndërtimi i linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë, jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer 20% të burimeve energjitike. Ndërsa në takimin e zhvilluar me ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Fatmir Besimi, ky i fundit e informoi kryeministrin Berisha se edhe qeveria maqedonase është duke punuar për projektin e segmentit hekurudhor, me qëllim mundësimin e lidhjes me infrastrukturë hekurudhore midis të dy vendeve, si dhe ka parashikuar në programin e saj për këtë mandat projekte rrugore për bërë të mundur lidhjen me rrugën e Arbrit, duke mundësuar kështu që distanca ndërmjet dy kryeqyteteve të shkurtohet. Nga ana e tij, kryeministri Berisha rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe uroi gjetjen e një zgjidhjeje midis të dy vendeve fqinje për çështjen e emrit, në mënyrë që t’i hapet rruga anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›