FMN: Skenarët për të dalë nga kriza
Në vitin e dytë të krizës ekonomike, e cila infektoi disa sektorë të vendit, skenarët për daljen nga rrethi i pasigurisë janë të shumtë, por problemi qëndron te zbatimi. Qeveria shqiptare e pranoi prezencën krizë me vonesë, duke u detyruar të tkurrë buxhetin me 25 miliardë lekë, pjesa dërrmuese e të cilave ishte destinuar për investime në rrugë, shkolla e spitale. Ndërkohë, qeveria nuk heq dorë nga plani për të rritur shpenzimet në politikën e pagave dhe pensioneve, në masën deri në 14 për qind. Për ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, politika që po ndjek qeveria shqiptare nuk e nxjerr vendin nga kriza. Johan Mathisen, ekonomist në Departamentin Europian të Politikave dhe të Studimeve Rajonale në FMN, tha gjatë prezantimit të parashikimeve mbi rajonin, se Shqipëria duhet të ulë patjetër borxhin, në mënyrë që të garantojë siguri tek investitorët financiarë. “Ulja e borxhit dhe reduktimi i deficitit nuk do të thotë detyrimisht të tkurrësh investimet publike, pasi ka të tjera forma që mund të jenë rishikimi i shpenzimeve korrente, pra fondi për pagat dhe pensionet, apo rritja e taksave. Qeveria shqiptare duhet të bëjë kujdes në politikën për thithjen e investimeve të huaja, ndërsa disiplina në rregullat fiskale duhet të jetë parësore”, tha para gazetarëve ekonomisti i FMN-së. Mathisen ishte në Tiranë për të prezantuar një studim, i cili përqendrohej mbi sfidat e menaxhimit të flukseve hyrëse të kapitalit në Europën në zhvillim. FMN-ja nuk është treguar aspak e rezervuar ndaj qëndrimeve të qeverisë për të rritur pagat dhe pensionet në kohë krize, kur nga ana tjetër merr vendim për të ulur investimet. Në daljet e fundit në publik që pati shefi i Misionit, Gerwin Bell, u theksua rëndësia që ka rikthimi i besimit të konsumatorit dhe rrugët që duhen ndjekur për të dalë nga kriza.
InvestimetPër ekspertin e FMN-së, vijimi i investimeve publike, duke i rritur çdo vit, është një formë e duhur për të zbutur efektet e krizës ekonomike. Lidhur me pyetjen sesi mund të ulet borxhi dhe të rriten investimet, kur raporti i tyre është tepër negativ, Mathisen tha se duhet të ndiqen politika të kujdesshme në shpenzimet korrente. Lidhur me parashikimet për rritjen ekonomike, ekonomisti i FMN-së tha se, “Shqipëria, siç edhe ka qenë më parë vlerësimi i FMN-së, pritet që këtë vit të rritet me rreth 2.3 për qind dhe ky trend do të jetë një për qind më i lartë vitin e ardhshëm. Duhet të kuptojmë se themelore për të garantuar rritje të qëndrueshme do të jetë politika liberale ndaj kapitalit të huaj". Në prag të hyrjes së Shqipërisë në tregjet financiare për të emetuar eurobondet, eksperti i FMN-së nënvizoi se trajtimi i borxhit publik është faktor përcaktues në vlerësimet e investitorëve. "Konsolidimi fiskal dhe ulja e deficitit buxhetor përbëjnë tregues të rëndësishëm për një ekonomi, ndaj dhe duan vëmendje të veçantë. Ata gjithashtu përbëjnë edhe një pikë reference për investitorët e huaj", vijoi Mathisen.
ParametratAktualisht niveli i borxhit publik në vend po prek kuotën e 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa deficiti buxhetor gjatë vitit 2009 rezultoi pranë 7 për qind. Sa u takon investimeve publike, për vitin 2010 ato parashikohen të jenë te niveli i 28 për qind i Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose diçka më pak sa ishin vitin e kaluar. Totali i investimeve për këtë vit është diku te 85 miliardë lekë, ose 25 miliardë më pak se në 2009-n, ndërsa i gjithë buxheti është 410 miliardë lekë, por me plan për t’u reduktuar në pjesën e dytë të vitit.
#