Supermashtruesi Indrit Aliu sillet nga Greqia në pranga dhe me kostum
Dy oficerë të Interpolit kanë sjellë dje në pranga nga Greqia supermashtruesin Indrit Aliu. Rreth orës 17:05 ai ka zbritur në Rinas nga një avion që vinte nga Athina. I veshur me kostum, me pranga në duar dhe i kapur nga krahët nga dy oficerë policie, Indrit Aliu është sjellë në Shqipëri, ku po gjykohet për një sërë mashtrimesh në shuma të mëdha parash. 26-vjeçari nga Vlora ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin numër 302, datë 01 prill 2009, ndaj tij ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”. Indrit Aliu, duke u paraqitur si investitor, ka mashtruar subjekte të ndryshme në shuma të mëdha. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën më datën 18 nëntor të vitit të kaluar u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Sipas policisë, rreth orës 22:30 të asaj date, Aliu është ndaluar nga oficerët e Interpol-Athinës në kryeqytetin grek, ku fillimisht është prezantuar me emrin e një biznesmeni nga Berati, Sokol Shehu. Identiteti i tij nuk i ka bindur oficerët, të cilët e kanë shoqëruar për të kryer verifikimet e nevojshme dhe shumë shpejt ata kanë zbuluar se personi i ndaluar ishte Indrit Aliu, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare për mashtrim. Pas verifikimit është njoftuar menjëherë Interpol-Tirana. Gjyqi ndaj tij pritet të fillojë këtë kohë, pasi Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për dosjen në ngarkim të tij, i cili akuzohet për dhjetë raste mashtrimi me pasoja të rënda. Në bazë të të dhënave të dosjes, Indrit Aliu nga këto mashtrime ka sjellë një dëm prej rreth 4 milionë eurosh. Dosja në ngarkim të 25-vjeçarit është hapur më 19 mars 2009, pas gjashtë denoncimeve të bëra në prokurori që e akuzonin Indrit Aliun për mashtrim me pasoja të rënda në rreth 3 milionë euro. I kërkuari do të dërgohej në gjyq në mungesë, pasi ndalimi i tij nuk u bë i mundur, edhe pse urdhër-arresti ndaj tij i është përcjellë prej muajsh policisë dhe Interpolit. Në përfundim të hetimeve, prokuroria pohoi se ka provuar dhjetë raste të vjedhjes me anë të mashtrimit nga Indrit Aliu. Pak kohë pas denoncimeve të para që mbërritën ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës, u konfirmua se ai ishte larguar jashtë Shqipërisë. Të dëmtuarit kanë qenë kryesisht biznesmenë, të cilëve Indrit Aliu akuzohet se u ka marrë shuma të mëdha financiare dhe materiale me anë të mashtrimit në kontratat e nënshkruara. Duke u hequr si një biznesmen i fuqishëm, pronar i kompanisë “Dejs & Partners Consulting”, Aliu ka nënshkruar kontrata me sipërmarrës dhe kompani të tjera, duke përvetësuar paratë e më pas duke u zhdukur pa gjurmë.
#