Clarence Gilyard, regjisor dhe aktor në skenën shqiptare
Pas anulimit të thuajse një javë më parë, trupa e aktorëve dhe regjisori i shfaqjes më të re në Teatrin Kombëtar do të mblidhen sot paradite në një konferencë për shtyp. Bëhet fjalë për shfaqjen “Koleksioni i përhershëm” i autorit Thomas Gibbons, një shfaqje në teatër, e cila për herë të parë vjen në një bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë. E pikërisht falë këtij bashkëpunimi është mundësuar edhe ardhja e regjisorit dhe aktorit të njohur amerikan Clarence Gilyard, i cili do të ngjisë në skenën shqiptare këtë premierë të re. Nën përkthimin e Pirro Dollanit, vepra do të interpretohet nga aktorët Clarence Gilyard, Mirush Kabashi, Tinka Kurti, Fatos Sela, Ema Andrea dhe Esmeralda Metka. Për realizimin e kësaj shfaqjeje, skenografia i është besuar Bashkim Zahajt, ndërsa kostumografia Edlira Qyshkës, ndërsa asistent regjisore e Clarence Gilyard do të jetë Adriana Tolka.
Clarence Gilyard është një aktor amerikan, mjaft i njohur në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për rolet e tij në filmat “Walker Texas Ranger” në krah të protagonistit tjetër të njohur aktorit Chuck Norris, në filmin “Top Gun” me aktorin Tom Cruise, “Karate Kid 2”, apo në filmin tjetër po aq të njohur për publikun shqiptar “Die Hard”, me të mirënjohurin Bruce Willis. Aktualisht Clarence Gilyard është profesor i asociuar në Kolegjin e Arteve të Bukura, departamenti i Teatrit në Universitetin e Nevadës në Las Vegas.
#