E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Të gjithë duhet ta shpëtojmë ekonominë globale

HAWAI - Zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes së 26 tetorit kërkoi Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristine Lagarde, gjatë fjalës së saj në Samitin e vendeve të Azi-Paqësorit në Hawai.

Znj Lagarde tha në fjalën e saj se "të gjitha vendet e botës duhet të luajnë rolin e tyre për të ndihmuar ribalancimin e ekonomisë globale", dhe përsëriti "shqetësimin e FMN-së për rreziqet, me të cilat ballafaqohet ekonomia botërore". 

Lagarde theksoi "nevojën urgjente për zbatimin e politikave, për të cilat krerët e BE ranë dakord në tetor."

"Pa një zgjidhje për krizën në zonën euro, ekonomia globale mund të shkojë drejt një kolapsi, të hyjë në një lëvizje negative të spirales së besimit, me një zhvillim gjithnjë e më të ulët dhe punësim gjithnjë e në zvogëlim," tha ajo.

"Kjo i rrezikon gjithë vendet, ndaj të gjithë kanë interes për ta zgjidhur këtë krizë," tha Lagarde, duke shtuar se "për të shmangur rreziqet e tjera, të gjitha vendet duhet të luajnë rolin e tyre për ribalancimin e saj".

Vendet e zhvilluara të rajonit të Azi-Paqësorit duhet të zbatojnë politikat e konsolidimit fiskal, ndërsa vendet në zhvillim duhet të adoptojnë politika të rishpërndarjes së pasurisë dhe zhvillimit në shëndetësi dhe arsim, përfundoi znj Lagarde.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›