FMN-ja: Kriza globale do të ulë dërgesat e emigrantëve
TIRANË- Rritja ekonomike për vitit 2009, nuk pritet të jetë më shumë se 4 për qind. Deklarata “pesimiste” është bërë nga shefi i FMN-së për Shqipërinë, Geruin Bell, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp më ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Një nivel të tillë rritjeje, poshtë 6 %, që ishte parashikuar edhe nga qeveria në projektbuxhet, Bell ia atribuon krizës ekonomike që po kalojnë ekonomitë ndërkombëtare. Ai e sheh Shqipërinë të pa imunizuar ndaj efekteve të krizës, pavarësisht se vendi ynë nuk është i integruar plotësisht në tregjet ndërkombëtare. Ulja e nivelit të eksporteve, rënia e dërgesave nga emigrantët dhe ulja e investimeve të huaja, janë disa nga sektorët, në të cilat do të reflektohen direkt efektet e krizës, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së. Sipas tij, në një situatë ku e gjithë ekonomia botërorë kalon një fazë tkurrjeje, është thuajse e pamundur që të shmangen efektet vetëm me masat e marra nga qeveria. Qeverisë i mbetet të marrë disa nisma, të cilat do të forcojnë besimin në ekonominë vendase. Ndër to ai renditi, përforcimin e politikave fiskale dhe marrjen e masave për të ulur deficitin buxhetor nga 5 që është aktualisht, në 4 për qind. Përfaqësuesi i FMN-së është shprehur optimist në lidhje me privatizimet e kompanive strategjike, por sipas tij, duhet pasur kujdes në disa aspekte. Shifrat e ulëta të arkëtimeve të OSSH-së e kanë detyruar atë qe t’u bëjë thirrje institucioneve shtetërore dhe në veçanti ujësjellësve që të paguajnë energjinë e faturuar, pasi sipas tij, kjo po sjell shumë probleme për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Në fakt, OSSH-ja, disa ditë më parë kishte deklaruar se ishte e detyruar të merrte kredi tregtare me interes të lartë, vetëm për të mbyllur deficitin nga mospagesat e energjisë. Për sa i përket sistemit bankar, Bell, e ka konsideruar atë solemn dhe me fitim. I të njëjtin mendim ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili i ka ftuar bizneset të vazhdojnë të jenë aktivë, largpamës dhe dinamikë, në raport me bankat. Vetëm kështu do të bëhet e mundur që ai të jetë i kapitalizuar, fitimprurës dhe i kredituar nga sistemi bankar.“Çdo formë kursimi apo investimi jashtë bankave, me para në dorë, mbart një rrezik të konsiderueshëm moral, financiar dhe fizik. Apeli im është i thjeshtë: “Konsultohuni për çdo veprim me bankën tuaj. Sistemi bankar mbetet këshilltari më i mirë për ju”, -tha Fullani.