E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, Berisha: Njoh vetëm PS-në

Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, përjashtojnë nga përgjegjësia mazhorancën

TIRANË- Ka qenë një ditë e zakonshme në qëndrimet e tyre politike, për kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, edhe pse në Kuvend janë ngujuar 10 deputetë, pikërisht për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor. Si Berisha ashtu edhe Topalli kanë qenë në një zë sa i përket grevës së iniciuar nga 10 deputetë të Kuvendit. Edhe pse në aktivitete krejt të ndryshme, ata janë shprehur se respektojnë vendimin e ndërmarrë nga deputetët në fjalë, por nuk kanë dhënë asnjë përgjigje, pikërisht për kërkesat që çuan në zhvillimin e kësaj greve. Në këtë mënyrë, si Berisha ashtu edhe Topalli, kanë injoruar tërësisht atë çka po ndodh në Kuvend, duke lënë të kuptohet qartë se nuk do të ketë ndryshime të qëndrimeve nga ana e mazhorancës. Gjatë prononcimit të tij, nga qyteti i Durrësit, kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar çështje të brendshme të së majtës konfliktin që ka lindur me disa nga partitë e vogla lidhur me Kodin e ri Zgjedhor, duke e përjashtuar në këtë mënyrë PD-në nga përgjegjësia edhe pse ajo është forca më e madhe dhe njëkohësisht hartuese e këtij kodi. Duke dashur t’i konsiderojë vetëm si çështje të brendshme të së majtës, Berisha ka injoruar faktin se konflikti, në të vërtetë nuk është brenda së majtës, por me disa nga partitë e vogla, ndër të cilat edhe partia që është në koalicionin qeverisës, PDK-ja.Madje, kryeministri Sali Berisha, ka përjashtuar nga negociatat çdo parti tjetër të vogël nga e majta, duke theksuar se do të negociojë me partinë më të madhe opozitare. “Kryeministri dhe mazhoranca, në mënyrë shumë të prerë, nuk do të hyjë në probleme të brendshme të opozitës. Pavarësisht nga respekti i përgjithshëm që ushqej për të gjithë opozitën, unë jam i detyruar, në çdo rrethanë, të negocioj, para së gjithash dhe i kushtëzuar, me partinë kryesore të opozitës, sepse ky është rregulli dhe kështu ka qenë edhe kur unë isha në opozitë. Unë respektoj mendimin e çdo njeriu, por personalisht negocioj dhe do të negocioj me partinë kryesore të opozitës. Unë nuk ndërhyj në problemet e tyre të brendshme,”- tha Berisha.

Veliaj: Çmimi i lartë i karburanteve,

dështim i politikave qeverisëse

TIRANË- Shqipëria është i vetmi vend në rajon me çmimet më të larta të karburanteve. Për këtë problem, që nuk po gjen asnjë zgjidhje nga qeveria, aktivistë të “G99”-ës zhvilluan dje një konferencë për shtyp pranë një pike karburanti në Tiranë. Drejtuesi i “G99”- ës, Erion Veliaj, deklaroi dje se ndërsa çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka rënë disa herë, kjo rënie nuk reflektohet në çmimin, me të cilin shqiptarët blejnë sot karburantet. “Ndërkohë që maqedonasit, kosovarët dhe malazezët e blejnë sot karburantin meçmime të nivelit 80-90 qindarka të euros, pra në nivelin e 100 lekeve të rinj, shqiptarët duhet ta blejnë atë, të paktën 25% më shtrenjtë. Karburantet e shtrenjta, përkthehen në ushqime më të shtrenjta, transport më të shtrenjtë, ngrohje më të shtrenjtë, dhe shqiptarët sigurisht që nuk kanë arsye pse të mbajnë një kosto të tillë varfëruese pa arsye”,- tha dje Veliaj. Madje, në mënyrë indirekte, drejtuesi i “G99”- ës, ka atakuar edhe grevën e urisë që po mbahet nga disa deputetë, si rezultat i përjashtimit të tyre nga përbërja e re e KQZ-së. “Shohim sot politikanë pa fund që ngrenë zërin dhe përdorin të gjitha format e protestës për të mbrojtur interesat e tyre private, ndërkohë që nuk e tregojnë këtë zell asnjëherë kur vjen puna për interesat jetike të qytetarëve shqiptarë", - tha ai. Ndërkohë, Veliaj, solli shembuj konkretë sa i përket çmimit të naftës edhe në botë. I pyetur nga gazetarët për shkaqet se pse shqiptarët i paguajnë karburantet më shtrenjtë sesa çdokush në rajon, Veliaj tha se arsyeja kryesore është dështimi i politikave të qeverisë për ta rregulluar këtë treg, në mënyrë që ai t’u përgjigjet shpejt ndryshimeve të tregut ndërkombëtar.

Kreu i FMN-së ka parashikuar rritje ekonomike jo më të lartë se 4%. Fullani: Paratë jashtë bankave janë në rrezik

FMN-ja: Kriza globale do të ulë dërgesat e emigrantëve

TIRANË- Rritja ekonomike për vitit 2009, nuk pritet të jetë më shumë se 4 për qind. Deklarata “pesimiste” është bërë nga shefi i FMN-së për Shqipërinë, Geruin Bell, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp më ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Një nivel të tillë rritjeje, poshtë 6 %, që ishte parashikuar edhe nga qeveria në projektbuxhet, Bell ia atribuon krizës ekonomike që po kalojnë ekonomitë ndërkombëtare. Ai e sheh Shqipërinë të pa imunizuar ndaj efekteve të krizës, pavarësisht se vendi ynë nuk është i integruar plotësisht në tregjet ndërkombëtare. Ulja e nivelit të eksporteve, rënia e dërgesave nga emigrantët dhe ulja e investimeve të huaja, janë disa nga sektorët, në të cilat do të reflektohen direkt efektet e krizës, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së. Sipas tij, në një situatë ku e gjithë ekonomia botërorë kalon një fazë tkurrjeje, është thuajse e pamundur që të shmangen efektet vetëm me masat e marra nga qeveria. Qeverisë i mbetet të marrë disa nisma, të cilat do të forcojnë besimin në ekonominë vendase. Ndër to ai renditi, përforcimin e politikave fiskale dhe marrjen e masave për të ulur deficitin buxhetor nga 5 që është aktualisht, në 4 për qind. Përfaqësuesi i FMN-së është shprehur optimist në lidhje me privatizimet e kompanive strategjike, por sipas tij, duhet pasur kujdes në disa aspekte. Shifrat e ulëta të arkëtimeve të OSSH-së e kanë detyruar atë qe t’u bëjë thirrje institucioneve shtetërore dhe në veçanti ujësjellësve që të paguajnë energjinë e faturuar, pasi sipas tij, kjo po sjell shumë probleme për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Në fakt, OSSH-ja, disa ditë më parë kishte deklaruar se ishte e detyruar të merrte kredi tregtare me interes të lartë, vetëm për të mbyllur deficitin nga mospagesat e energjisë. Për sa i përket sistemit bankar, Bell, e ka konsideruar atë solemn dhe me fitim. I të njëjtin mendim ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili i ka ftuar bizneset të vazhdojnë të jenë aktivë, largpamës dhe dinamikë, në raport me bankat. Vetëm kështu do të bëhet e mundur që ai të jetë i kapitalizuar, fitimprurës dhe i kredituar nga sistemi bankar. “Çdo formë kursimi apo investimi jashtë bankave, me para në dorë, mbart një rrezik të konsiderueshëm moral, financiar dhe fizik. Apeli im është i thjeshtë: “Konsultohuni për çdo veprim me bankën tuaj. Sistemi bankar mbetet këshilltari më i mirë për ju”, -tha Fullani.

Emirjon Senja

Topi: Projekt-raporti për Shqipërinë, realist

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka lexuar pozitivisht progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Në një intervistë për “VOA”, Topika deklaruar se Shqipëria ka bërë progres. “Natyrisht, ka dhe probleme sepse po të mos kishte probleme, ne sot do të ishim me statusin e kandidatit. Pikërisht, kjo lloj marrëdhënie e monitorimit dhe e vlerësimit në nivel të demokracisë, të forcimit të shtetit ligjor, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, të çështjeve që kanë të bëjnë me politikën, kanë të bëjnë me partitë, me reformën zgjedhore, kanë të bëjnë me drejtësinë, kanë të bëjnë me korrupsionin, kanë të bëjnë me krimin e organizuar, janë të gjithë elementë që vlerësohen në mënyrë shumë realiste, tepër objektive, në mënyrë shumë profesionale, dhe mbetet që Institucionet shqiptare, politika shqiptare, partitë, institucionet e pavarura, të bëjnë një vlerësim shumë të vëmendshëm, jo vetëm specifik për linjat institucionale që ato mbulojnë, por është shumë e rëndësishme që të gjithë të gjejnë gjuhën e komunikimit të ndërsjelltë, që gjithçka të shkojë në mënyrë sa më të shpejtë drejt marrjes së statusit të kandidatit”, tha Topi. Lidhur me pavarësinë e institucioneve, Topi u shpreh se kjo është një beteje afatgjatë. Gjatë intervistës, Topi ka mbështetur edhe punën e Prokurores së Përgjithshme, duke u shprehur se pas kaq vitesh, në vend ka tashmë një prokurori jo politike. “Nuk mund të futem në natyrën e punës së Prokurorisë, sepse po të futem në natyrën e punës së Prokurorisë, do të thosha që unë influencoj tek puna e Prokurorisë. Ky institucion ka pasur një pavarësi absolute në raportin midis Presidentit dhe Prokurorisë”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›