E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë, bllokohen punimet e Kuvendit

Greva e urisë e deputetëve të LSI-së dhe PDK-së, në ditën e dytë të saj, por me një përfaqësues më pak. Deputetët shfaqin shenjat e para të lodhjes

TIRANË- Greva e urisë së deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane, ka hyrë në ditën e dytë të saj, por tashmë me një përfaqësues më pak. Kjo pasi deputeti demokristian, Jak Ndokaj, ka lënë dje ambientet e sallës së seancave plenare, ku dhe po zhvillohet greva për të komunikuar me mediat, por për të mos u kthyer dot më. Forcat e Gardës së Republikës, të përforcuara edhe me një numër të konsiderueshëm të policisë së rendit, kanë penguar rikthimin e tij brenda ambienteve të Kuvendit, me argumentin se kishte thyer tashmë rregullat e grevës së urisë. Kjo është bërë shkak edhe për një përplasje fizike midis tij, deputetit tjetër të LSI-së, Dritan Prifti, dhe forcave të rendit, të cilat nuk i kanë lejuar ata të kalojnë traun në hyrje të selisë së Kuvendit. Ndërkohë që siç mësohet edhe nga burime pranë grupit koordinues të grevës që vepron jashtë sallës së Kuvendit, deputetët e ngujuar kanë nisur dje që të shfaqin problemet e para shëndetësore, si shkak i pagjumësisë dhe mungesës së ushqimit. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho dhe ai i PDK-së, Ymer Tola, kanë kërkuar edhe ndihmën e mjekëve, pasi kanë vuajtur nga luhatje të tensionit të gjakut. Ndërkohë që dje janë shfaqur për mediat edhe pamjet e para të deputetëve të ngujuar të marra nga vetë deputetët me anë të aparateve celularë. Pamjet e shpërndara janë marrë gjatë mbrëmjes së ditës së parë të ngujimit dhe një pjesë e tyre gjatë ditës së djeshme. Në njërën prej këtyre filmimeve duken një pjesë e deputetëve që qëndrojnë të shpërndarë në sallën e Kuvendit, ndërsa deputeti Frok Gjini dhe Pëllumb Xhufi, përpiqen që të çmontojnë aparaturën e bllokimit të valëve të celularëve, ndërkohë që vëzhgohen pa ndërprerje nga forcat e shumta të sigurisë së Kuvendit që kanë bllokuar të gjitha hyrjet e sallës. Ndërkohë, në disa foto të shpërndara deputetët grevistë, duket se kanë marrë të gjitha masat e duhura për të qenë të çlirët në qëndrimin e tyre në sallë, duke hequr dorë nga kostumet dhe duke u veshur me rroba sportive. E ndërsa dhjetë deputetët e ngujuar brenda Kuvendit vazhdonin grevën e tyre, simpatizantë të këtyre dy forcave kanë vijuar t’i mbështesin ata nga jashtë Kuvendit, ku dhe kanë protestuar. Bashkë me ta janë bashkuar edhe disa deputetë të tjerë dhe figura publike, midis të cilëve deputeti Spartak Ngjela, Gilman Bushati, Luan Memushi, etj.Kjo ka sjellë një impenjim të madh të forcave të rendit, të cilat kanë bllokuar kalimin e makinave në të gjithë rrugët që të çojnë përpara selisë së Kuvendit. Ndërsa deputetët grevistë do të vijojnë sot ditën e dytë të grevës, ende nuk dihet zyrtarisht sesi do të zhvillohet mbledhja e seancës së radhës plenare ditën e enjte. Kjo për arsye se deputetët kanë bllokuar pikërisht sallën e seancave, duke sjellë në fakt në një bllokim të punimeve të Kuvendit. Jo zyrtarisht, dje përflitej edhe për një mbledhje të byrosë parlamentare, ku mund të vendoset se mbledhja e seancës të zhvillohet në ambientet e kryesisë së Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›