Veliaj: Çmimi i lartë i karburanteve, dështim i politikave qeverisëse
TIRANË- Shqipëria është i vetmi vend në rajon me çmimet më të larta të karburanteve. Për këtë problem, që nuk po gjen asnjë zgjidhje nga qeveria, aktivistë të “G99”-ës zhvilluan dje një konferencë për shtyp pranë një pike karburanti në Tiranë. Drejtuesi i “G99”- ës, Erion Veliaj, deklaroi dje se ndërsa çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka rënë disa herë, kjo rënie nuk reflektohet në çmimin, me të cilin shqiptarët blejnë sot karburantet. “Ndërkohë që maqedonasit, kosovarët dhe malazezët e blejnë sot karburantin meçmime të nivelit 80-90 qindarka të euros, pra në nivelin e 100 lekeve të rinj, shqiptarët duhet ta blejnë atë, të paktën 25% më shtrenjtë. Karburantet e shtrenjta, përkthehen në ushqime më të shtrenjta, transport më të shtrenjtë, ngrohje më të shtrenjtë, dhe shqiptarët sigurisht që nuk kanë arsye pse të mbajnë një kosto të tillë varfëruese pa arsye”,- tha dje Veliaj. Madje, në mënyrë indirekte, drejtuesi i “G99”- ës, ka atakuar edhe grevën e urisë që po mbahet nga disa deputetë, si rezultat i përjashtimit të tyre nga përbërja e re e KQZ-së. “Shohim sot politikanë pa fund që ngrenë zërin dhe përdorin të gjitha format e protestës për të mbrojtur interesat e tyre private, ndërkohë që nuk e tregojnë këtë zell asnjëherë kur vjen puna për interesat jetike të qytetarëve shqiptarë", - tha ai. Ndërkohë, Veliaj, solli shembuj konkretë sa i përket çmimit të naftës edhe në botë. I pyetur nga gazetarët për shkaqet se pse shqiptarët i paguajnë karburantet më shtrenjtë sesa çdokush në rajon, Veliaj tha se arsyeja kryesore është dështimi i politikave të qeverisë për ta rregulluar këtë treg, në mënyrë që ai t’u përgjigjet shpejt ndryshimeve të tregut ndërkombëtar.