FMN-ja ofron sistem elektronik për tregtinë e bonove të thesarit
Nga tetori i këtij viti një sistem i automatizuar do të ekzekutojë automatikisht shitblerjet e titujve të borxhit (bonove të thesarit). Qeveria shqiptare, me ndihmën e FMN-së, pritet të vërë në punë pikërisht në këtë muaj një platformë elektronike të shitblerjes së bonove të thesarit dhe titujve të tjerë të borxhit publik shqiptar. “Ne synojmë të rrisim volumin e shitblerjes së titujve të borxhit në tregun ndërbankar, i cili, megjithëse në rritje, është ende shumë i vogël”,- thuhet në një njoftim të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Projekti do të përfundojë së zbatuari në mes të vitit të ardhshëm. Shumë qeveri perëndimore i ofrojnë qytetarëve të vet mundësinë për të blerë tituj borxhi në sportelet e bankave apo edhe drejtpërsëdrejti në internet, mundësi që në Shqipëri nuk ekzistojnë ose janë shumë të kushtueshme. Borxhi publik në lekë është një treg prej 300 miliardë lekësh (2.5 miliardë eurosh), që kontrollohet pothuajse i gjithi nga bankat. Pesha e individëve gjatë dy viteve të fundit është zvogëluar ndjeshëm, për shkak të politikave kufizuese të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, koha mesatare e maturimit të borxhit publik në Shqipëri është rritur në 421 ditë, gjë që është kryer përmes rrallimit të ankandeve tremujore dhe gjashtëmujore si dhe shtimit të emetimit të obligacioneve dyvjeçare.
25 Gusht 2008