E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari shqiptar në Zvicër, këtë vit rritet vlera me 126 milionë lekë më shumë

Bankat private duhet të mbajnë rezervë të detyrueshme valutore

Ervin Koçi

Depozitat e rezervës shqiptare në ar, të cilat mbahen pjesërisht të depozituara në Zvicër dhe pjesërisht në Bankën e Shqipërisë në vend, janë shtuar këtë vit si pasojë e interesit bankar të depozitimit. Burime pranë Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se, “ari shqiptar këtë vit vlen rreth 126 milionë lekë më shumë se një vit më parë”. Sipas të dhënave të BSH-së, në fund të vitit 2007 vlera e arit të vendosur në depozita, mjete të kësaj banke ishte 923 milionë lekë nga 797 milionë lekë që ishte në fund të një viti më parë, pra në 2006-n. Shuma e fundit të vitit 2007 përbëhet nga 13.319 onz në shufra ari (lingot), si dhe më pak në monedha, shifër kjo e njëjtë edhe me atë të një viti më parë. Ari është vlerësuar me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e bilancit. Diferenca prej 126 milionë lekësh, e cila një vit më parë, në 2006-n, ishte 89 milionë lekë, rezulton nga rivlerësimi i arit që është regjistruar në rezervën e rivlerësimit. Më 31 dhjetor të vitit 2007, sipas të dhënave të BSH-së, një onz ar u vlerësua me 836.5 dollarë nga 635.7 dollarë që vlerësohej një vit më parë, kjo edhe për arsye se metalet e çmuara përfshi edhe arin, u rritën në bursat ndërkombëtare.

Gjendja e arit

Ari dhe metale të tjera të çmuara të përfshira në aktive dhe në monedhë vendase, përfshirë këtu edhe gjendjen e platinit dhe të argjendit në kasafortë, të vlerësuara me kursin e këmbimit fiks të Londrës, përbëjnë rezervën valutore në metale të çmuara të shtetit shqiptar. Kjo rezervë, që administrohet nga Banka Qendrore, është një element sigurie për shtetin tonë, e cila mund të përdoret në kohë krizash politiko-ekonomike, apo dhe në raste fatkeqësish natyrore për të përballuar nevojat emergjente të popullsisë së vendit. Më 31 dhjetor të vitit 2007, bilanci i arit kapte një shumë totale prej 57 milionë lekësh, në krahasim me 48 milionë lekë që ishte në vitin 2006, si dhe ar jomonetar prej 6 milionë lekësh nga 5 milionë lekë që ishte në 2006-n.

Rezerva e detyrueshme

Bankat e nivelit të dytë (bankat private tregtare) duhet të mbajnë një rezervë të detyrueshme valutore në monedhë të huaj ose metale me vlerë pranë Bankës së Shqipërisë. Me anën e një rregulloreje të re përcaktohet mënyra e funksionimit të këtij procesi për të gjitha bankat që operojnë në vendin tonë, por edhe gjobat e parashikuara në rastet e mosdeklarimit të saktë. Aktualisht bankat private mbajnë rezervën e detyruar në llogaritë e tyre rezervë pranë Bankës së Shqipërisë, në lekë dhe në valutë (euro dhe dollarë amerikanë) për një periudhë 1-mujore. Por sipas rregullores së re, afati i rezervës fillon nga dita e 24-rt e muajit që pason periudhën bazë dhe përfundon në ditën e 23-të të muajit pasues. Përdorimi i rezervës është i lejuar gjatë periudhës së mbajtjes nga ana e bankave. Sipas rregullores, bankat kanë të drejtë të përdorin rezervën e detyruar në lekë, me kusht që mesatarja e gjendjes së llogarisë rezervë ditën e fundit të periudhës së mbajtjes, të mos jetë nën nivelin e rezervës së detyruar. Masa e rezervës së detyruar, e cila mund të përdoret në një ditë nga bankat, shprehet në përqindje të rezervës së detyruar dhe përcaktohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ajo njoftohet të paktën 30 ditë pune përpara fillimit të periudhës së mbajtjes.

Si veprojnë sanksionet dhe gjobat e BSH-së për privatët

Në rast se banka nuk përmbush detyrimin për raportimin e rezervës së detyruar brenda afatit të përcaktuar, atëherë niveli i rezervës së detyruar përcaktohet në masën 10 për qind më i lartë se niveli i rezervës së detyruar të bankës në raportimin e fundit të saj, por jo më i lartë se 700 milionë lekë ose ekuivalenca e saj në euro dhe në dollarë. Në rast se niveli faktik, por i paraportuar i rezervës së detyruar, i verifikuar nga BSH-ja rezulton më i lartë se niveli i përcaktuar, atëherë veprojnë gjobat e parashikuara me rregullore. BSH-ë verifikon saktësinë e raportimit të rezervës së detyruar në përputhje me të dhënat e raportuara në SRU dhe/ose nëpërmjet inspektimeve në vend të bankës. Në rast se, pas periudhës së mbajtjes së rezervës, verifikohet mospërputhja në vlerë monetare më shumë se 1 mijë lekë ose ekuivalenca e shumës në euro dhe në dollarë e të dhënave të raportuara për rezervën e detyruar me të dhënat e raportuara në SRU dhe/ose me të dhënat e marra nga inspektimet në vend të bankës, atëherë aplikohen gjoba. Interesi gjobë i aplikuar nga BSH-ja për rastet e mosplotësimit të rezervës së detyruar në lekë është i barabartë me 600 pikë bazë më i lartë se norma bazë e interesit të BSH-së në ditën e fundit të periudhës bazë, por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë. Interesi gjobë i aplikuar nga BSH-ja për rastet e mosplotësimit të rezervës së detyruar në valutë është i barabartë për rezervën e detyruar në euro me 200 pikë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës Qendrore Eeropiane në ditën e fundit të periudhës bazë, por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të interesit të BSH-së.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›