E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujqësia, eksportet shqiptare rriten me 25 për qind



Eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare gjatë këtij viti janë rritur me rreth 25 për qind, në krahasim me vitin e kaluar. Këtë gjë e ka deklaruar Rexhep Shahu, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë, ku sipas tij, “gjatë kësaj periudhe fermerët shqiptarë kanë eksportuar në drejtim të Kroacisë, Bosnjës, Greqisë, Zvicrës e Maqedonisë rreth 1582 tonë bostan, 255 tonë patate, 210 tonë fasule dhe rreth 405 tonë domate e tranguj, shifra këto disa herë më larta se vitin e kaluar”. Ndërkohë Shahu tha se rritje të nivelit eksportues shënohen edhe për prodhimet e agro-industrisë, ku gjatë këtij sezoni është dyfishuar eksporti i ujërave minerale dhe lëngjeve të frutave në drejtim të Greqisë, Kosovës dhe Italisë. Ky prodhim, në 6-mujorin e parë të këtij viti u rrit me 12 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Evidencat për këtë periudhë tregojnë se në veçanti prodhimi agro-industrial ka manifestuar një ecuri pozitive, duke regjistruar ritme të rritjes progresive pothuajse në të gjithë sektorët e kësaj industrie, krahasuar me vitin e kaluar. Aktualisht, industria ushqimore agropërpunuese përfaqësohet nga 1980 fabrika dhe linja përpunimi, të cilat e kanë shtrirë aktivitetin e tyre drejt përpunimit të artikujve që bazën kryesore e kanë prodhim vendi në sektorët e blegtorisë, pemëtarisë, rrushit etj.
Sipas të dhënave zyrtare, një kontribut në konsolidimin e këtij sektori kanë dhënë dhe projektet e ndryshme që po zbaton MBUMK-ja për instalimin në rrethe të ndryshme të vendit të linjave të përpunimit të kësaj industrie.

a

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›