Përdorimi i energjisë elektrike, bizneset e rrisin konsumin në 24 për qind
Pesha specifike e konsumit të energjisë elektrike sipas grupit të konsumatorëve ka pësuar ndryshime të dukshme gjatë 5 viteve të fundit, çka tregon se zhvillimet ekonomike kanë ndikuar direkt në rritjen e konsumit të energjisë elektrike. Në 6-mujorin e parë të këtij viti konsumi i energjisë nga konsumatorët është rritur me 13.3 për qind, krahasuar me 6-mujorin e parë 2007. Ndonëse në vend të parë janë konsumatorët familjarë, me 10.9 për qind më shumë të sasisë së energjisë së konsumuar, nga e njëjta periudhë e vitit 2007, llogaritet në 16.7 për qind rritja e konsumit të energjisë nga konsumatorët e tjerë, krahasuar gjithnjë me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në 5 vitet e fundit vihet re se bizneset kanë rritur peshën specifike të konsumit të energjisë elektrike me 10 për qind më shumë, çka tregon se ky grup konsumator po rrit në mënyrë të pandërprerë aktivitetin e tij. Ndërkohë në 6 muajt e parë të vitit 2008, pesha e konsumit të energjisë nga bizneset, u rrit, duke kapur vlerën 24 për qind. Në vitet e fundit për bizneset ka ardhur në rritje pesha specifike e konsumit të energjisë elektrike prej tyre. Kurba e rritjes së peshës specifike të konsumit të energjisë nga bizneset tregon se hopi ka ndodhur në dy vitet e fundit. Kështu, ndërsa në vitin 2003 pesha specifike e konsumit të energjisë elektrike nga biznesi ishte 9.58 për qind, në vitin 2004 arriti në 16.25 për qind, në vitin 2005 u rrit në 25.3 për qind, në vitin 2006 në kuotën e 23.5 për qind dhe në vitin 2007 arriti në 28.68 për qind.
25 Gusht 2008