E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimet e reja, qytetarët, të pasigurt në përdorimin e kartave të kreditit



Pas skandaleve të fundit me vjedhjet nëpërmjet kartave të kreditit, janë shtuar pasiguritë te qytetarët që kanë një të tillë. Klonimi i kartave të kreditit nuk është një fenomen shqiptar, por rreziku i keqpërdorimit të kartave të kreditit tashmë është prezent edhe në vendin tonë. Sipas ekspertëve, qytetarët duhet të bëjnë kujdes që të tërheqin faturën që bankomati i tyre nxjerr në momentin kur ata tërheqin para me kartën e debitit. Bankat kanë raportuar se për muajin qershor të vitit 2008 numri i kartave të kreditit ka arritur në 16.333, çka do të thotë se kaq është edhe numri i personave që kanë një kartë krediti në vendin tonë. Ndërsa numri i kartave të debitit, që përdoret për të tërhequr më së shumti pagesën mujore (rogën), deri në qershor është 682.895 të tilla. Në të gjithë vendin, ka rreth 513 bankomate për 17 bankat e nivelit të dytë dhe 2.790 pika shitjeje me karta krediti. Karta e kreditit është një kartë bankare me të cilën mund të kryhen pagesa jo në cash, si dhe tërheqje në cash prej bankomateve dhe sporteleve të bankës. Kur kryeni blerje me kartë krediti ju nuk keni nevojë të keni para në llogarinë tuaj që në momentin e blerjes, pasi banka ju vë në dispozicion një shumë të caktuar për çdo muaj. Por, megjithëse shumica e llogarive të kartave të kreditit ju lejojnë të mbartni një shumë të papaguar nga një faturë mujore në tjetrën, edhe pse ju do të paguani interesa për shumën e mbartur. Karta e kreditit është tepër praktike për të kryer blerje brenda dhe jashtë vendit (pagesa në shuma të vogla, por me frekuencë të lartë në jetën e përditshme), pa pasur nevojë për para cash dhe duke përdorur paratë e bankës. Përdorimi i një karte krediti konsiderohet si tepër komod. Në Shqipëri, vendet ku mund të paguani me kartë krediti nuk janë ende të shumta, por ato po shtohen dita-ditës. Me kartë krediti mund të paguani jo vetëm qiratë, faturat e ujit dhe të energjisë elektrike, por edhe faturën mujore apo vjetore të palestrës, produktet e blera në disa nga supermarketet më të mëdha të vendit, veshje dhe libra në disa nga libraritë apo butikët e kryeqytetit. Me anë të kartës së kreditit ju mund të krijoni një historik të dhënash financiare, i cili do të jetë tepër i rëndësishëm për një fazë tjetër të jetës tuaj, kur të keni nevojë të kryeni blerje të mëdha. Sidoqoftë, përdorimi i kartës së kreditit mban me vete edhe përgjegjësi jo të vogla. Përpara se të aplikoni për një kartë krediti, duhet të mbani parasysh se zotërimi i një karte krediti nuk do të thotë të fitosh para “qyl”. Përkundrazi. Në rast vonese të shlyerjes së blerjeve me kartë, bankat mbajnë një përqindje të konsiderueshme, të çmimit të artikullit apo të shërbimit.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›