INSIG-u, vetëm humbje në 4 vjet, konkurrentët rrëmbejnë tregun
Procesi i privatizimit të 61 për qind të aksioneve të kompanisë “INSIG” është hapur që në vitin 2004. Por pjesa e mbetur e aksioneve të kompanisë publike zotërohet aktualisht nga institucionet financiare ndërkombëtare si “BERZH” dhe “IFC”, secila nga 19.5 për qind, ku njëkohësisht janë partnerë mbështetës të qeverisë në privatizimin e shoqërisë në fjalë. Gjatë këtyre katër viteve, kompania ka vazhduar që të humbasë treg, duke humbur rolin “lider” që ka pasur më parë në tregun e sigurimeve në vend. Tashmë jemi në një situatë ku INSIG ka një portofol të sigurimit të “Jo-Jetës” njësoj si kompania e pestë në renditjen e bërë nga “AMF”. Për 5-mujorin e parë të vitit, kompania jo vetëm që ka humbur 1.2 milionë dollarë të ardhura, por nga vendi i tretë që ishte vjet, përsa u përket të ardhurave në treg, ka kaluar ne vend të pestë. Situata ka pasur një përmirësim përsa i përket sigurimit të “Jo-Jetës” gjatë periudhës 6-mujore, duke shënuar një rënie vetëm me rreth 5.4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. INSIG-u, sipas të dhënave të AMF-së, për 6 muajt e parë të vitit 2008 zotëron 11.86% të tregut të sigurimit të detyrueshëm, nga 14.62 për qind që ka qenë pjesa e zotëruar nga kompania me kapital shtetëror në të njëjtën periudhë të vitit 2007.
25 Gusht 2008