E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN miraton celjen e fondit 3.6 mln $ për Shqipërinë

FMN miraton raportin e rishikimit të marrëveshjes për rritjen ekonomike dhe zbutjen e varfërisë. Konfirmohet kalimi i Shqipërisë nga një vend me të ardhura të ulta në një stad të ri, të vendeve me të ardhura mesatare 

TIRANE- Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi çeljen e një fondi 3.6 milionë dollarë për Shqipërinë.

FMN-ja ka miratuar gjithashtu, raportin e rishikimit të gjashtë dhe të fundit të marrëveshjes për rritjen ekonomike dhe zbutjen e varfërisë me vendin tonë. Përfundimi i kësaj marrëveshje konfirmon kalimin e Shqipërisë nga një vend me të ardhura të ulta në një stad të ri, të vendeve me të ardhura mesatare.

Marrëveshja trevjeçare me Fondi Monetar Ndërkombëtar u nënshkrua në shkurt të vitit 2006 me të drejtën për të përfituar deri në 25.4 milionë dollarë. Kjo marrëveshje, ndër të tjera, ishte formuluar me qëllim që të mbështeste rritjen ekonomike, të forconte aftësinë paguese të qeverisë, e të zhvillonte më tej sistemin financiar vendas.

Qeveria shqiptare ka vendosur të mosrinovojë më marrëveshje të tilla me FMN-në, por ta mbajë këtë institucion financiar ndërkombëtar vetëm në rolin e konsulentit.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›