Bashkia e Tiranës prezanton projektin “Mendo Gjelbër”
TIRANË- Bashkia e Tiranës mbështeti sot prezantimin e projektit “Think Green” (Mendo gjelbër) nga skuadra “SIFE” (Studentët në Sipërmarrje të Lirë) e Universitetit të Tiranës.
Ky projekt ka si synim sensibilizimin e grupmoshave të reja në fushën mjedisore të riciklimit të mbetjeve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama tha se “jo vetëm unë, por dhe Bashkia e Tiranës jemi të interesuar të mbështesim këtë projekt, pasi këtu shohim një dritë shprese. Dritë kjo që duhet të përhapet kudo”.
Gjithashtu ai shtoi se “ ky është një projekt që në dukje është i vogël, por në thelb është një projekt i madh . Pasi ky synon të ndryshojë cilësisht këndëvështrimet e njerëzve për realitetin, raportin e njerëzve me realitetin, rolin e çdo individi për ruajtjen e mjedisit dhe shlyerjen e atij borxhi që secili prej atyre që jetojnë sot kanë ndaj atyre që do të vijnë nesër.”
Projekti “Think Green” konkuron në kompeticionin ndërkombëtarë të vitit 2009. Prezantimi i tij përkon me periudhën përgatitore të fushatës mjedisore që Bashkia e Tiranës do të lançojë javën që vjen.
Skuadra “SIFE” (Studentët në Sipërmarrje të Lirë) është një organizatë globale jo fitimprurëse, e cila lidh në mënyrë strategjike studentët, universitete, bizneset dhe komunitetet, me qëllim krijimin e një ambienti të shëndoshë dhe të pastërt në të gjitha territoret.
(d.b/BalkanWeb)