FMN rifillon akordimin e 3.3 mld eurove per Rumanine
BUKURESHT- Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, dhe Bashkimi Evropian njoftuan sot rifillimin e akordimit të huasë antikrizë për Rumaninë me zhbllokimin e pritshëm të një shume prej 3,3 miliardë euro. FMN-ja do të akordojë disa transhe të një shume prej 2,3 miliardë euro në shkurt dhe Bashkimi Evropian një miliard euro. "Jemi të kënaqur të njoftojmë se i mbyllëm me një vendim pozitiv bisedimet lidhur me vlerësimin e programit të përbashkët. Do t'i paraqesim këshillit administrativ të FMN-së një dokument me anë të të cilit autorizohet zhbllokimi i akordimit të kësteve të ardhshme", deklaroi në një konferencë shtypi në Bukuresht shefi i misionit të vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Jeffrey Franks. FMN-ja, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian i kanë akorduar Rumanisë në pranverën e vitit 2009 një ndihmë të përgjithshme prej 20 miliardë eurosh për të përballuar recesionin e rëndë që goditi vendin. Megjithatë, akordimi i kësaj ndihme është ndërprerë në nëntor pas krizës politike që bllokoi vendin dhe në pritje të formimit të një qeverie të re që u krijua në fund të dhjetorit.(atsh/BalkanWeb)