E Diel, 1 Nëntor 2026

Trupi i pajetë i Panajot Panos mbërrin nesër në atdhe

TIRANë- Trupi i pajetë i legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, i ndarë nga jeta pak ditë më parë, në moshën 71 vjeçare, pas një infarkti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndodhej për një vizitë familjare, pritet të mbërrijë nesër në atdhe. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, dita kur Panajot Pano do të shoqërohet në banesën e fundit, do të jetë ditë zie kombëtare.Panajot Pano u nda nga jeta në 19 janar, në Florida. Të gjitha shpenzimet për transportimin e trupit të tij në atdhe dhe për ceremoninë mortore do të përballohen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.Në ditën e përcjelljes së Panajot Panos në banesën e fundit, flamujt nëpër institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmë shtizë, ndërsa Radio Televizioni Publik Shqiptar do të transmetojë vetëm muzikë funebre. Ish-sulmuesi, i cili do të bëhej i famshëm tek Partizani, lindi në 7 mars të vitit 1939 në qytetin e Durrësit. Në vitin 1956, ai filloi karrierën e tij si futbollist tek Tirana. Pas shkëlqimit me ekipin e të rinjve të Tiranës, nën drejtimin e trajnerit Xhavit Demneri, Pano kaloi tek skuadra e Partizanit, ku dhe luajti për 15 vjet (janar 1960 - maj 1975). Me fanellën e Partizanit ai fitoi 4 kampionate dhe 5 kupa.Gjatë 20 viteve të karrierës së tij futbollistike Panajot Pano zhvilloi mbi 600 ndeshje, duke shënuar 450 gola. Talenti i tij u shqua si në Shqipëri, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare. "Nëse do të luante sot Panajot Pano do të aktivizohej me një nga klubet më të mira të Europës", ka thënë Mehdi Bushati, duke iu referuar talentit dhe figurës së madhe të kampionit Pano. Në vitin 2003, ai mori çmimin “Golden Player" nga UEFA, duke u renditur mes 50 futbollistëve më të mirë në histori, në Evropë. Në mars të vitit 2009, Panajot Pano u nderua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›