Në pranga dy zjarrfikës trafikantë droge
Policia e Tiranës arreston Gentian Sokolin dhe Gerald Shehun. U kapen 3.6 kg hashash
Dy zjarrfikës kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi dyshohen se merreshin me trafik droge. Ata janë kapur me dy të njohur të tjerë të tyre, teksa transportonin me një mjet rreth 3.6 kg drogë. Operacioni për arrestimin e tyre si dhe hetimi për rreth një muaj është kryer nga antidroga e kryeqytetit. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bënë të ditur se në pranga kanë përfunduar Gentian Sokoli, 24 vjeç, Gerald Shehu, 29 vjeç, Mariglen Nela, 20 vjeç dhe Florenc Kasaj, 25 vjeç. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Sokoli dhe Shehu punonin si zjarrfikës në repartin e zjarrfikësve në Tiranë. Më tej, nga seksioni kundër trafikut të drogës mësohet se ata janë kapur dy net më parë, rreth orës 20:30, në Unazën e Re në Tiranë. Të katërt kanë qenë duke udhëtuar me mjetin “Opel Zafira”, me targë TR 4857 S. Policia, e cila kishte informacione të sigurta për ta, ka ndërhyrë për kontroll rutinë. Por, sapo ata janë ndaluar nga policia, dy zjarrfikësit janë prezantuar, duke kërkuar që mos të kontrollohen dhe meqë njihen shumë me oficerët e policisë. Megjithatë, grupi hetimor ka vazhduar kontrollin dhe brenda mjetit ka gjetur 3 kilogramë e 623 gramë kanabis, e mbështjellë në disa pako. Në këtë kohë, katër të dyshuarit kanë mbetur pa fjalë dhe menjëherë janë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aty janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, pavarësisht se nuk e kanë pranuar akuzën dhe kanë deklaruar se ndodheshin rastësisht. Në përfundim, policia deklaroi se operacioni ishte koduar “Zjarrfikësi”, pasi prej kohësh kishte marrë informacion se ata dy persona merreshin me trafik droge, duke shfrytëzuar njohjet që kishin në polici. Madje, atyre u janë sekuestruar edhe katër celularë, që kanë qenë në përgjim përgjatë gjithë hetimit, sipas ligjeve në fuqi me anë të një vendimi të gjykatës. Aty janë regjistruar gjithë bisedat e blerjes dhe shitjes së lëndës narkotike, ndërkohë që aktualisht po punohet për identifikimin e të implikuarve të tjerë në këtë grup dhe dokumentimin e plotë të rastit kriminal.
#