Vajza e adoptuar ekzekuton nënën
Anila Angjo, 29 vjeç, jetime, e skeduar nga policia e Pogradecit, qëlloi me plumb në zemër gruan që e rriti
Krimi brenda familjes trondit qytetin e Pogradecit. Një grua është ekzekutuar me armë zjarri nga vajza e adoptuar që kishte rritur prej të paktën 28 vjetësh. Jetimja nuk ka ngurruar t’i marrë jetën gruas, që e ka rritur dhe është përkujdesur për të. Burime zyrtare nga policia e Pogradecit bëjnë të ditur se Anila Angjo, 29-vjeçare, ka ekzekutuar me pistoletë nënën e saj birësuese, Shpresa Angjo, 65 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në orën 8:30 të mëngjesit të djeshëm në lagjen 2 të Pogradecit.
Ndonëse viktima ka thirrur për ndihmë, askush nuk ka guxuar t’i afrohet derës së jashtme të apartamentit nga frika e vajzës. Fqinjët të mësuar me ulërimat e gruas, nuk kanë guxuar t’i afrohen apartamentit në katin e katërt të pallatit, pasi sipas tyre, vajza e dhunshme dhe problematike nuk e kishte për herë të parë që ushtronte dhunë fizike ndaj prindërve. Fqinjët thonë se kjo vrasje ishte e paralajmëruar dhe pritej të përfundonte keq, për faktin se 29-vjeçarja Anila Angjo pothuajse çdo ditë ushtronte terror në familjen e saj. E rritur në një familje me baba një ish-ushtarak në pension dhe nënën punonjëse në rrobaqepësi, vajza vetëm kërkonte të holla, të cilat i shpenzonte për të konsumuar pije alkoolike dhe lëndë narkotike.
Policia është sinjalizuar menjëherë për krimin dhe ka mundur të kapë në kohë autoren. Ajo është gjetur në banesë, bashkë me armën e krimit dhe nuk ka kundërshtuar shoqërimin në komisariat dhe as ka mohuar vrasjen. Ndërkohë, burime nga policia lokale bëjnë të ditur se 29-vjeçarja Angjo njihej si person problematik, kontingjente dhe përdoruese e lëndëve narkotike. Ajo disa herë ishte shoqëruar në polici për vepra penale dhe vjedhje. Mësohet se para ngjarjes mes 29-vjeçares dhe viktimës ka pasur një konflikt të ashpër. E dehur, ajo ishte kthyer në banesë në orët e para të mëngjesit dhe kishte nisur sherrin me nënën e saj. Sipas policisë, konfliktet vinin për faktin se vajza ishte e dhunshme dhe ju kërkonte para dy prindërve të saj. Mësohet se ndonëse prindërit ia plotësonin të gjitha kushtet dhe tekat, shpesh përfundonin me plagë nga rrahjet dhe dhuna. Familjarë të viktimës thonë se e kishin paralajmëruar 65-vjeçaren ta denonconte vajzën në polici, gjë që nëna nuk e kishte bërë. Ndërkohë, dyshohet se vajza e ka siguruar armën më parë dhe e mbante atë në banesë për t’u bërë presion prindërve. Krimi sipas policisë është kryer me dashje dhe paramendim.
#