Profil, kush është Andi BushatiNga TemaAndi Bushati është një nga emrat më autoritarë të gazetarisë shqiptare. Emisioni i tij “Zonë e Ndaluar”, i cili prej më shumë se tri vitesh transmetohet çdo të hënë në TV “Klan”, u pezullua dje në mbrëmje pas do
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Profil, kush është Andi BushatiNga TemaAndi Bushati është një nga emrat më autoritarë të gazetarisë shqiptare. Emisioni i tij “Zonë e Ndaluar”, i cili prej më shumë se tri vitesh transmetohet çdo të hënë në TV “Klan”, u pezullua dje në mbrëmje pas dorëheqjes së tij të parevokueshme. Shkak për dorëheqjen e dhimbshme të tij u bë pezullimi nga pronari i TV “Klan”, Aleksandër Frangaj, i transmetimit të tri dokumentarëve që zoti Bushati ka bërë për profilin e tri figurave kryesore politike të kësaj fushate, Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta. Duke mos pranuar këtë standard të lirisë së shprehjes, Bushati dha dorëheqjen nga një grup televiziv, në të cilin është prej themelimit të tij.
Ky detaj përsërit në njëfarë mënyre shumë momente të jetës profesionale të Andi Bushatit. Në fillimet e tij si gazetar në gazetën “Koha Jonë” ai ishte i pari që dha dorëheqjen në vjeshtën e vitit 1996, kur brenda gazetës më të madhe në Shqipëri filluan problemet dhe përpjekjet për kontroll të politikës botuese. Prej vjeshtës së vitit 1996 deri në fillim të vitit 1997, ai qëndroi larg medies, derisa në shkurt të vitit 1997 u shfaq si një nga themeluesit e revistës javore “Klan”, së bashku me Aleksandër Frangajn. Ai qëndroi në krye të kësaj reviste deri në vitin 2005. Pas kësaj ai vendosi të largohej dhe për shkak të nevojës që kishte revista për të mbajtur një qëndrim të ri ndaj të sapoardhurve në pushtet.
Por historia e rezistencës së tij profesionale ka plot detaje dhe në kontributet e tij në TV “Klan”. Në vitin 2001, ndërsa Fatos Nano kishte nisur një fushatë për pastrimin e Partisë Socialiste dhe qeverisë nga korrupsioni, ai ishte ndër gazetarët e TV “Klan” që u përpoqën t’i bëjnë rezistencë mbështetjes pa kriter për Ilir Metën. Ai mbështeti dorëheqjen e drejtorit të lajmeve, Armand Shkullaku, së bashku me disa drejtues të tjerë të lajmeve në TV “Klan”, në shenjë proteste ndaj diktimit të politikës botuese nga pronari Frangaj, në atë kohë shumë i lidhur me Ilir Metën. Në vitin 2003 marrëdhëniet e tij me kryeministrin, Fatos Nano, acarohen për shkak të qëndrimeve të tij profesionale. Acarimi u tejkalua prej zotit Nano dhe në planin personal. Ndërsa zgjedhjet po afronin dhe Fatos Nano shpresonte te mbështetja e TV “Klan” për zgjedhjet e vitit 2005, qëndrimi i tij dhe Armand Shkullakut ishte vendimtar për ndryshimin e kursit. Përpjekjet e një grupi biznesmenësh afër Fatos Nanos dhe pronarit të TV “Klan”, Aleksandër Frangaj, për të blerë mbështetjen e televizionit gjatë fushatës së vitit 2005 dështuan, pasi redaksia e lajmeve transmetoi jashtë dëshirës së pronarëve videon e buzukut, ku Fatos Nano festonte, ndërsa në Shqipëri ishte ditë zie.
Kjo i dha fund shanseve për një marrëveshje të TV “Klan” me kryeministrin Nano dhe e hodhi televizionin në anën e ish-opozitës së Sali Berishës.
Pas zgjedhjeve të vitit 2005, u angazhua në emisionin e tij të ri “Zonë e Ndaluar”, një emision shumë i ndjekur dhe shumë profesional. Emisioni tenton të sjellë në ekran historitë e pazbuluara dhe fenomenet e pandriçuara mirë në jetën politikë, ekonomike, kulturore dhe sociale të vendit. Emisioni ka pasur disa kulme të veta profesionale që shpesh kanë qenë hapur në kundërshtim me politikën redaksionale të TV “Klan”. Kjo shpeshherë ka shkaktuar nervozizëm, sidomos në raportet mes pronarëve dhe kryeministrit Berisha.
Në vitin 2008 kryeministri Berisha ndërmori disa herë publikisht, madje në ekranin e TV “Klan”, sulme personale ndaj Andi Bushatit. Kolegët e tij të pranishëm në emision nuk e mbrojtën. Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, i dha disa herë hapësirë sulmeve të zotit Berisha kundër tij, pa i komentuar ato vetë ose pa bërë asnjë gjest kundër tyre. Kjo shkaktoi dhe divorcin e zotit Bushati nga prezenca e herëpashershme në emisionin e zotit Fevziu. Këto marrëdhënie të tendosura po acaronin raportet e tij me pronarin e TV “Klan”, i cili më në fund vendosi të vepronte.
Ditën e hënë, më 8 qershor, ai e njoftoi zotin Bushati se nuk mund të transmetonte dokumentarin e planifikuar për Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën, derisa të mbaronte fushata elektorale. Ky standard i papranueshëm për zotin Bushati i dha fund dhe marrëdhënieve të tij mbi 12-vjeçare me grupin “Klan”, ku ka qenë themelues. Ai është sot një gazetar i papunë për shkak të vendimit të tij për të ruajtur standardet profesionale. Fati i tij në njëfarë mënyre ilustron fatin e gazetarisë shqiptare në këto momente të vështira të ofensivës së politikës dhe grupeve të biznesit për të marrë nën kontroll gjithçka nga media shqiptare.