FOKUS – SHBA nënshkruan marrëveshjen për një ambasadë të përhershme në Jerusalem

UASHINGTON, 1 korrik /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara nënshkruan sot një marrëveshje për të ndërtuar ambasadën e tyre të përhershme në Jerusalem, një iniciativë që Izraeli e përshkroi si një dëshmi të “aleancës së pathyeshme” midis dy vendeve.
Gjatë mandatit të tij të parë, në dhjetor 2017, presidenti i SHBA-së Donald Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, duke thyer neutralitetin historik të bashkësisë ndërkombëtare.
Ai më pas urdhëroi zhvendosjen e misionit të tij diplomatik nga Tel Avivi në qytetin që izraelitët e konsiderojnë kryeqytetin e tyre.
“Shtetet e Bashkuara jo vetëm që e njohin Jerusalemin si kryeqytetin e përjetshëm, stërgjyshor dhe përgjithmonë të pranishëm të popullit hebre, por Shtetet e Bashkuara gjithashtu po thonë se ne do të veprojmë për këtë çështje'”, tha ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, në një ceremoni në Ministrinë e Jashtme izraelite që shënoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për vendin e ndërtesës së re.
“Ne do ta vendosim flamurin tonë, flamurin tonë amerikan, në tokën e Jerusalemit për të ngritur kompleksin tonë të ri të përhershëm të ambasadës, i cili do të shërbejë si flamur për aktivitetet tona diplomatike këtu në Izrael”, shtoi ai.
“Do të thoja se Zoti e mori këtë vendim 3 800 vjet më parë dhe më në fund kemi arritur të njohim atë që u krijua shumë kohë para se Shtetet e Bashkuara të ekzistonin”, vazhdoi ai.
Ambasada e përhershme do të ndërtohet në vendin e njohur si kompleksi ”Allenby” në pjesën jugore të qytetit.
Shërbimet e saj më parë janë shpërndarë në disa vende në Jerusalem.
Izraeli pushtoi dhe aneksoi Jerusalemin Lindor në vitin 1967, përpara se ta shpallte të gjithë qytetin kryeqytetin e tij të pandarë.
Bashkësia ndërkombëtare nuk e ka njohur kurrë aneksimin dhe e konsideron Jerusalemin Lindor territor të pushtuar.
Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit që ata aspirojnë të krijojnë.
“Vendimi historik i Presidentit Trump në vitin 2017 për të zhvendosur ambasadën në Jerusalem i ktheu gjërat në rregull”, tha ministri i Jashtëm Izraelit Gideon Saar në ceremoni.
Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar për ndërtimin e vendit nënvizon “aleancën e pathyeshme” midis Izraelit dhe aleatit të tij, Shteteve të Bashkuara.
“Ashtu si Shtetet e Bashkuara janë jetësore dhe të pazëvendësueshme për Izraelin, Izraeli është jetësor për Shtetet e Bashkuara dhe interesat e saj në rajon”, shtoi Huckabee në një mesazh në llogarinë e tij X.
Ky vendim vjen gjithashtu pas një periudhe tensioni të raportuar midis Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me përfundimin e luftës me Iranin, të cilën dy vendet e tyre e nisën bashkërisht më 28 shkurt./ a.jor.