FOKUS – Trump dhe Zelensky diskutojnë përpjekjet për paqen në Ukrainë

UASHINGTON, 12 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA Donald Trump dhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky thanë se kishin biseduar me telefon për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Zelensky, duke shkruar në X, e quajti bisedën “të rëndësishme” dhe tha se ata diskutuan “mundësitë për arritjen e paqes”, si dhe telefonatën e mëparshme të Trump me presidentin rus Vladimir Putin.
“Askush nuk dëshiron paqe më shumë se Ukraina. Së bashku me Shtetet e Bashkuara, ne po hartojmë hapat tanë të ardhshëm për të ndaluar agresionin rus dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme dhe të besueshme. Siç tha presidenti Trump, le ta bëjmë atë”, theksoi ai.
Trump, duke shkruar në platformën e tij “Truth Social”, tha se bisedimet shkuan “shumë mirë” dhe se Zelensky “dëshiron të bëjë paqe”.
Trump tha se ”zëvendëspresidenti dhe sekretari i tij i Shtetit do të takohen me Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih, të premten”.
“Shpresoj se rezultatet e atij takimi do të jenë pozitive”, shkroi ai./ /os/