SHBA – Trump: Putin pranon të fillojë menjëherë bisedimet për luftën në Ukrainë

UASHINGTON, 12 shkurt /ATSH-DPA-ANSA/ – Presidenti i SHBA, Donald Trump deklaroi se kishte biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin dhe se kishin rënë dakord të fillonin menjëherë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Sapo pata një telefonatë të gjatë dhe shumë produktive me presidentin rus, Vladimir Putin. Ne diskutuam për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificiale, fuqinë e dollarit dhe tema të ndryshme”, shkruan Donald Trump në Truth Social.
Ai shtoi se i ka kërkuar sekretarit të Shtetit Marco Rubio, drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Waltz dhe të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff për të udhëhequr negociatat nga pala amerikane.
Trump theksoi se ata gjithashtu kishin rënë dakord të vizitonin vendet e njëri-tjetrit.
Trump tha se do të telefononte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për ta informuar për bisedën.
“Unë besoj se kjo përpjekje do të çojë në një përfundim të suksesshëm, shpresojmë së shpejti!”, shkroi ai.
”Presidenti Vladimir Putin ka rënë dakord me Donald Trump se një zgjidhje afatgjatë në Ukrainë mund të arrihet përmes negociatave”, deklaroi ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov./ a.jor.