E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – WSJ: Misioni i Melonit, të bindë Trumpin dhe Evropën të jenë miq

UASHINGTON, 17 shkurt /ATSH-ANSA/ – Misioni i Giorgia Melonit: Të bindë Trumpin dhe Evropën të jenë miq. Ky është titulli i një artikulli të Wall Street Journal (WSJ) rreth kryeministres italiane, e cila “po përpiqet të parandalojë që përçarja transatlantike të shndërrohet në një divorc, pavarësisht se votuesit dhe kolegët evropianë e kundërshtojnë aleancën”.

“Shtetet e Bashkuara nën presidentin Trump kanë humbur besimin në të gjithë Evropën, por kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbetet besnike ndaj Amerikës. Ajo po bën gjithçka që mundet, për ta mbajtur gjallë marrëdhënien e trazuar transatlantike. Ajo u ka rezistuar propozimeve evropiane për t’u hakmarrë ndaj kërcënimeve tregtare të Trumpit dhe ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa të thellojnë lidhjet e tyre’’, thuhet në artikull.

”Këtë fundjavë, ajo u nda nga pjesa më e madhe e kontinentit, duke u zotuar të bashkohet me Këshillin e Paqes të Trumpit, edhe nëse vetëm si vëzhguese. Ajo e di se po shkon kundër rrymës së klimës mbizotëruese në Evropë”, shkruan artikulli.

“Udhëheqësja italiane argumenton se Evropa nuk ka zgjidhje tjetër veçse të këmbëngulë në aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara”, kujton WSJ.

“Ajo po luan një lojë të rrezikshme për sa i përket perceptimit publik”, tha për gazetën Lorenzo Pregliasco, themelues i YouTrend, një agjencie sondazhesh dhe komunikimesh politike me seli në Torino.

“Italianët e shohin Trumpin si një kërcënim. Nëse e shohin atë duke dëmtuar ekonominë italiane ose sigurinë dhe stabilitetin evropian, ata mund ta fajësojnë Melonin”, shtoi ai.

Sipas gazetës, pas lidhjes së Melonit me aleancën “qëndron llogaritja se Italia nuk mund të përballojë koston e një divorci nga BE-ja.

Ekonomia e vendit, duke përjetuar rritje të ngadaltë, mbështetet në tregun e eksporteve drejt SHBA-së dhe është e ndjeshme ndaj luftërave tregtare.

Arkat e saj të tendosura qeveritare mund të mbështesin rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes brenda NATO-s, por ato do të kishin vështirësi nëse Evropa do të duhej të zëvendësonte mbrojtjet ushtarake të SHBA-së.

Sondazhet tregojnë se Trump është thellësisht jopopullor në Itali, si në pjesën më të madhe të Evropës, dhe ai është një figurë përçarëse edhe për votuesit e krahut të djathtë të Melonit.

‘’Ajo përpiqet të thotë se nuk është gjithmonë dakord me Trumpin dhe se, kur nuk është dakord, ia thotë këtë në fytyr뒒, thekson WSJ.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›