E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëndrimi, Këshilltar i Jashtëm i Presidentes

Nga Express më 01 tetor 2011 në ora 17:11

(E plotësuar) Ilir Deda, Këshilltar i Parë i Presidentes Atifete Jahjaga, ka thënë se kolegu i tij, Qëndrim Gashi, nuk është larguar nga Stafi i Presidentes.

“Nuk është larguar nga Presidenca. Z. Gashi do të jetë tash e tutje Këshilltar i
Jashtëm i Presidentes, pro bono”, ka thënë Deda, për ExpressOnline.

Ndryshe, deri më tash, Gashi ka qenë Këshilltar për Politikë të Jashtme.

Qëndrim Gashi ikën nga Presidenca?

Qëndrim Gashi, këshilltar për politikë të jashtme i presidentes Atifete Jahjaga, njëri ndër bashkëpunëtorët e parë të saj, i ardhur nga Partia Fryma e Re (FER), ka dhënë dorëheqje nga ky post, bën të ditur portali Qendra, duke u thirrur në një burim të afërt me stafin e Presidencës.

Presidentja e Kosovës Jahjaga kishte zgjedhur Ilir Dedajn për këshilltar të parë politik, e këtij më vonë i është bashkëngjitur edhe Qëndrim Gashi. Që të dytë vijnë nga Partia Fryma e Re, nga e cila kishin dhënë dorëheqjen dy apo tri ditë para se ajo t’i bashkëngjitej Lëvizjes Vetëvendosje, si pasojë e asaj se partia e tyre nuk kishte arritur të kalonte pragun zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Mësohet se dorëheqja e Qëndrim Gashit nga pozita e këshilltarit për politikë të jashtme vjen si pasojë e pakënaqësisë së tij brenda Presidencës.

Lista e plotë e këshilltarëve të presidentes Jahjaga është kjo: Ilir Deda, këshilltar i lartë politik dhe shef i Stafit; Qëndrim Gashi, këshilltar politik; Arbër Vllahiu, këshilltar politik për media dhe marrëdhënie me publikun; Ariana Qosaj-Mustafa, këshilltare politike për çështje juridike; Ilir Salihu, këshilltar politik për ekonomi; Venera Hajrullahu, këshilltare e posaçme për integrime evropiane; Hakide Kida, këshilltare politike dhe Beton Retkoceri, oficer ndërlidhës Presidencë-FSK.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›