FOTO REPORTAZH: Një maoist rikthehet në Tiranë
Gazeta e njohur gjermane, Die Welt, ka publikuar një reportazh të gjatë të gjermanit Alan Posener, një maoist i dikurshëm, që rikthehet në Tiranë, të cilën e kishte vizituar në vitin 1975.
Posener kujton se kur u ul në Tiranë 37 vjet më parë, edhe miqtë nuk ishin të gjithë njësoj. Fillimisht zbritën kinezët, më pas gjermanët. Ai thotë se e dërguan direkt në berberhane për të shkurtuar flokët. Posener shfaqet në një nga fotot e mëposhtme në vitin 75 me një dosje me veprat e Enver Hoxhës.
Ritakimi me Tiranën është befasues për të. Ndërsa atëherë nuk kishte makina, tani ai thotë se Shqipëria ka dendësinë më të madhe të Mercedes-ave në botë.
Ai shkruan se grupi i turistëve gjermane ka pak frikë, pasi kanë dëgjuar se kriminaliteti në vend është i lartë, por shton se e kanë qetësuar duke i thënë se për shqiptarët miku është i shenjtë.
Nuk është se i pëlqen aq shumë vendi ynë, sidomos thekson faktin se qytetet e bregdetit janë masakruar nga betoni. Vendet më të bukura, janë ato ku nuk ka shkuar rruga, shkruan ai. Ai thotë se ekziston edhe frika e tërmeteve, por shqiptarët nuk para e vrasin mendjen për ndërtimet pa kriter.
Sipas tij, hotelet janë të mbushura me kosovarë. Ndoshta pëlqejnë zhurmën, ngjyrat, dendësinë e njerëzve dhe faktin se janë lirë dhe mund të hanë sa të duan, shkruan ai.
Ai përmend faktin se feja nuk është shumë e rëndësishme për shqiptarët, ndërkohë që më shumë vlen besnikëria ndaj strukturave klanore. E mërzit ndoshta fakti që nuk gjen gjurmë të monumenteve të komunizmit, sidomos në Gjirokastër, ku është shtëpia e diktatorit.
Përmend që Skënderbeu është heroi ynë kombëtar dhe thotë se këtë emër kishte edhe një divizion shqiptar që luftoi serbët përkrah nazistëve. Pastaj shton se shqiptarët dhe serbët, edhe pse në konflikt mes tyre, pretendojnë se kanë qenë mburoja e kristianizmit kundër perandorisë osmane.
Ish- maoisti thotë në fund se Europa mund të mësojë nga shqiptarët për tolerancën fetare, kurse Shqipëria mund të mësojë se si të luftojë korrupsionin, por edhe se si të pastrojë mbeturinat dhe të largojë paragjykimet. Tek e fundit autori në kërkim të identitetit kombëtar shqiptar gjen vetëm një konstrukt romantik në një vend ku kanë kaluar me mijëra pushtues.











